Restaurimi i Ansamblit historik në Shkodër njohur “Gjuhadol’ dhe “Kafja e Madhe” ka shkaktuar dëme të parikuperueshme për vlerat e tyre historike e trashëgimisë kulturore.

Ky konstatim është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili ka depozituar kallëzim penal në prokurorinë e Shkodrës ndaj institucioneve të audituara si Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale Trashëgimisë kulturore Shkodër dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë kulturore.

Sipas materialit të siguruar nga ReportTv thuhet “Nga auditimi i kryer në subjektet e sipërcituara, janë konstatuar shkelje lidhur me procedurën e miratimit dhe zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i fasadës dhe Çatisë së objektit brenda Qendrës Historike Shkodër”, duke sjellë pasojën e rëndë të tjetërsimit të karakteristikave të objektit, pjesë e ansamblit historik rruga “Gjuhadol”, deklaruar si pasuri kulturore me VKM nr.771, datë 30.09.2020 “

Kontrolli i lartë i shtetit në auditimin e bërë përfshin edhe objektin e njohur si “Kafja e Madhe” ku thuhet “ Auditimi i KLSH-së, ka evidentuar gjithashtu shkelje gjatë procesit të zbatimit të punimeve për realizimin e projektit të restaurimit të objektit “Kafe e Madhe”, të cilat kanë sjellë pasojën e parikuperueshme të shembjes së objektit monument kulture i kategorisë I.

Për këto dëmtime, në 28 tetor, KLSH ka referuar në prokurori kallëzim penal sipas nenit 160 për shkatërrim të veprave kulturore, krim i cili dënohet me gjobë deri në 8 vite burg.

Rëndësia e ‘Kafes së Madhe’
Kafja e Madhe është ideuar nga arkitekti Kolë Idromeno, ndërsa ndërtimi i filloi nga familja Ashik në vitin 1920. Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savoia”. Kafja e Madhe shërbente si vendtakimi i shkrimtarëve, artistëve por edhe qytetarëve nën tingujt e muzikës së lehtë klasike. Fasada e objektit është e stilit austro hungarez. Ndërtesa ndahej në dy kate ku i pari kishte kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, ndërsa në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi për turistët apo vizitorët. Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”.

Rëndësia e ‘Gjuhadolit’

Gjuhadoli është një rrugicë e veçantë për shkodranët. E shtruar me kalldrëm dhe me ndërtesa njëkatëshe me ballkonet karakteristike. Nga të parat shtëpi që u ndërtuan aty ka qenë ajo e Gurakuqve. Më 1875 është themeluar Kuvendi Françeskan në këtë lagje, e ndërsa është një nga lagjet karakteristike të qytetit të Shkodrës, por që është lënë pas dore deri në shkatërrim.