Emri që Luljeta i ka vendosur djalit të saj është arsyeja pse ai prej 5 vjetësh nuk flet me nënën e tij. Sot ajo e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, takimi i tyre i parë në kaq kohë po ndodh në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, pasi edhe në vendin ku jetojnë, në Greqi, qëndrojnë në qytete të ndryshme.

Emri Gazmend është kthyer në “makthin” e djalit që prej fëmijërisë kur kanë emigruar në Greqi. Në vendin fqinj, emri i tij shqiptohet ndryshe dhe do të thotë “kazmë”, ndaj ai është bullizuar shpesh.

Luljeta: Lind ai, kisha dy fëmijët, kam edhe një gocë, edhe djalin. Në kohën e trazirave, në ’96-ën, ’97, për t’i shpëtuar fëmijët si shumë shqiptarë të tjerë, morëm fëmijët dhe kam ikur malit me një fëmijë në sqetull dhe një në dorë.

Eni Çobani: Deri në ‘97 ku ke jetuar?

Luljeta: Në rrethin e Lushnjes.

Eni Çobani: Në rrethin e Lushnjes, pra, po.

Gazmend: Qëkur ikëm atëherë që isha i vogël, 6 për vjeç, kisha problem. Që me shokët, sa u futa në klasën e parë që në muajt e parë, se brenda 4-5 muajve e flisja greqishten shumë mirë atëherë, isha i vogël, e mësova kollaj.

Eni Çobani: Po, sigurisht, se fëmijët e kapin më shpejt gjuhën e huaj.

Gazmend: Fëmijët edhe kur isha në klasë, në mësim, si i thonë… në pushim, qeshnin.

Eni Çobani: Po, e kuptoj që ti ke vështirësi për të folur, mos ki problem se ne të kuptojmë.

Ardit Gjebrea: Qeshnin me ty?

Gazmend: Po, me emrin që kam. Thoshin të të thërrasim më mirë Gazma, e kemi më kollaj neve. Çdo njeri, mësuesit thoshin njëherë Gazma, tjetri Gizmet, tjetri Gazmend… thoshin emra turk, unë e kisha problem. Edhe sot e kësaj dite, nuk mund t’i them njeriu këtë emër se qesh.

Luljeta: Po ç’faj kam unë moj zonja Eni?

Gazmendi shpjegon se e njëjta histori u përsërit edhe kur ai ndoqi ushtrinë pasi i kërkonte eprorëve të mos e shqiptonin emrin e tij. Aktualisht, në Greqi emri i tij i pagëzimit është Panajot, emër të cilin dëshiron ta ketë edhe në Shqipëri./tvklan.al