Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edi Paloka paralajmëroi trazira më 12 nëntor kur tha se Opozita e qytetarët mund të futen pa problem edhe në Kryeministri. I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Paloka tha se kryeministri duhet të qendrojë në zyrë e të përballet me protestuesit, siç ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha më 21 janar 2011. Paloka u shpreh i bindur se 12 nëntori do të jetë protesta më e madhe e organizuar në Shqipëri ndër vite.

“Kërkesa nga qytetarët, anëtarët e PD e opozitarët ka qenë e vazhdueshme. Protesta ka pasur në vijimësi, por është një protestë e madhe që e organizon opozita. Do jetë më e madhe se ajo e korrikut. Kur shqiptarët u mblodhën në 7 korrik në pik të vapës e të pushimeve, nuk diskutoj pjesëmarrjen në 12 nëntor. Do jetë protesta më e madhe e bërë në Shqipëri këto vite pavarësisht pengesave që do nxjerrë qeveria. Ka diskutime ide se si duhet të vijohet me protestat, se një protestë nuk i jep fund gjithçkaje, kjo duhet të ikë nga mendjet e njerëzve. Të ishte kështu e kishim bërë me kohë. Duhet vullneti i organizatorëve të jetë i palëkundur për qëllimin e ku do shkojë protesta, apo protestat. Kemi hyrë ne primare e para kemi zgjedhjet lokale. Nuk kemi dyshime që ndryshimi vjen me votë. Duhet të krijojmë kushtet si opozitë që shqiptarët të votojnë lirisht e grevat e protestat janë ato që do përdorim për të arritur tek vota e lirë. Që Rama të llogarisë pasojat, që nuk do të jenë më si ato që ka përballuar deri tani, deklarata boshe që kanë mbetur vetëm aty. Rama ka një të mirë që sa herë ka protesta largohet. Blindon dyert me hekura, e di ai çfarë frike ka. Problem nuk është hyrja në Kryeministri, duam të heqim qeverinë, jo ca karrike e as të prishim pikturat e Ramës. Të rrijë në zyrë si burrë e të shohë si e pa Berisha më 21 janar,”- tha ai.

Më herët, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar se aksioni opozitar do të fillojë më 12 nëntor 2022 me një protestë kombëtare. Protesta e opozitës së bashkuar vjen në kohën kur nesër bashkëpunimi me Partinë e Lirisë është konkretizuar me një marrëveshje të shkruar që përfshin edhe koalicionin në procesin e zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Partia e Lirisë do të marrë kandidatin për kryetar të Këshillit Bashkiak të Tiranës ndërsa PD do të ketë emrin e kandidatit për kryetar bashkie.