“Në fillim ishim skeptikë”, historia frymëzuese e çiftit që zgjodhi të investojë në Lëpushë

Meli dhe Valteri janë dy prej të rinjve të Lëpushës që vendosën të ndërtojnë të ardhmen e tyre në kullat e të parëve, në këtë kodrinë me panoramë mahnitëse.

Rreth 100 vjet më parë, ky log ishte vend verimi për bagëtitë e barinjtë e fshtërave të më poshtë. Kishte vetëm disa konakë, të ndërtuar për të kaluar verën. Me kalimin e kohës këto vende u kthyen në vendbanime të përhershme dhe aty nisën të ndërtohen kullat e larta dhe të forta me gurë e dru

Valteri tregon historinë e kullës, në të cilën tashmë mirëpret turistë vendas dhe të huaj: “Është shtëpia e parë e bërë më gurë, se përpara kanë jetuar në stane. Kjo është ndërtuar në vitin 1940”.

Tashmë kulla është kthyer në bujtinë, ku pret e përcjell turistë shqiptarë dhe të huaj. Vjeshta ka qëndisur ngjyra te arta përmbi këtë tokë të bekuar, e panoramës i shtohen zëra të hareshëm fëmije. Është Klea 7-muajshe, vajza e Valterit dhe Melit.

Për emisionin “Vetting” Valteri shprehet se miqtë i kanë propozuar të largohet jashtë por ai vendosi të qëndrojë në vendin e tij: “Me thënë të drejtën kam shumë njerëz në Amerikë dhe mi kanë mundësuar pothuajse të tëra rrugët, që tek financimi por unë e vendosa ngaqë po ikin edhe të gjithë nga ky vend dhe vendosa po shoh njëherë, po provoj. Nëse ecën mirë, po nuk eci do bëjmë edhe ne si shokët. Pjesa dërmuese e rinisë pothuajse është larguar”

Bashkëshortja e Valterit, Meli thotë se të dy ishin skeptikë nëse do e krijonin familjen e tyre në këtu apo do largoheshin në një vend tjetër: “Në fillim isha shumë e re, normal që dilemat ishin. Kisha shumë vështirësi të merrja një vendim aq e re për një jetë të re, megjithëse do të qëndroja në të njëjtin fshat dhe dilema ka qenë a do duhet të shoh për një vend tjetër apo duhet të ri prap këtu ku linda dhe u rrita. Po në fund vendosa, dashuria triumfoi”. /abcnews.al/