Febjus (Dritan) Dauti, 38 vjeç, është arrestuar nga Policia e Durrësit pas shtatë vitesh në kërkim. I riu bashkë me 3 persona të tjerë, u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Twix”, pasi u kapën duke transportuar tre kallëpe me lëndë plasëse. Edhe pse në mungesë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar Febjus Dauti me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim.

“Shërbimet e Policisë, mbështetur nga inteligjenca informative, mbi vendndodhjet e një shtetasi të kërkuar, bënë lokalizimin dhe ndalimin e Febjus (Dritan) Dautit, 38 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim. Më 17.01.2015, 38-vjeçari, së bashku më 3 shtetas të tjerë, u konstatua duke transportuar 3 kallëpe lënde plasëse. Si rezultat i punës policore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Policisë së Durrësit vunë në pranga, më 18 tetor 2022, shtetasin Bledar Plaku, njëri nga bashkëpunëtorët e shtetasit Febjus (Dritan) Dauti, të vënë në pranga ditën e sotme”, njofton Policia e Durrësit.

AKSIONI NË 2017:

4 persona u arrestuan në qytetin e Durrësit të cilët u kapën me 3 lëndë eksplozive C4 me celularë. Prangosja e tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Tëix” të sektorit për Trafiqet dhe Narkotikë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, pas një pune 2 mujore. Veç Dautit u arrestua:

30-vjeçarin Dashnor Dumani lindur në Dibër dhe banues në Durrës
24-vjeçari Asllan Plaku lindur dhe banues në Durrës
31-vjeçari Bledar Plaku lindur dhe banues në Durrës

Asokohe Dritan (Febjus) Dauti kishte garantuar një person tjetër, se ai me 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksploziv me porosi në automjete, komisariat policie, shtylla tensioni të lartë apo kudo tjetër. E vetmja kërkesë e tyre ka qenë korrektesa në pagesë, por Dauti nuk ka ditur se personi me të cilin po fliste ishte një agjent i infiltruar i policisë.

“Nga ana e Policisë Gjyqësore është bërë i mundur regjistrimi i një bisede ndërmjet një agjenti të infiltruar dhe shtetasit Febjus Dauti, ku ky i fundit thotë se ai bashkë me 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozive me porosi në vende të ndryshme si makina, në komisariatin e policisë, shtylla të tensionit të lartë apo kudo, që të bëhen porosi kundrejt shpërblimit me para. Ky shtetas thekson vetëm që pjesa e shpërblimit me para të jetë korrekte dhe në kohë, pasi kur e ka bërë edhe herë të tjera këtë punë, persona që e kanë porositur i kanë mbetur borxh një shumë prej 16 mijë eurosh,”- thuhej në dosjen e prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, ai i kishte thënë agjentit të infiltruar: Mjafton të thotë se ku e dëshiron që të vendoset lënda eksplozive dhe ai do t’i thotë çmimin dhe më pas e vendos atë. Gjithashtu mund ta vendos lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar nga distanca. Në momentin e arrestimit, mendohet se të rinjtë po shkonin në një aksion, ndërsa po ashtu, akuzoheshin se kishin me shpërthimin e mjetit të Ardian Trotës, i njohur dhe si “i forti i Kukësit”.

Shok me Dashnor Dumanin

Dauti duket se kishte miqësi me vëllanë e vrasësit me pagesë, tani të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Dashnorin.

“Altin Ndoci ishte planifikuar nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, të vritej në të tretat e zisë së vrasjes së vëllezërve Haxhiaj. Vrasja e Altinit, do kryej në shenjë hakmarrjeje, pasi Altin Ndoci, i ka dalë para me pistoletë Nuredinit dhe Dashnor Dumanit, duke i kanosur por pa realizuar qitje në drejtim të tyre. Për ekzekutimin e Altin Ndocit, Henrik Hoxhaj ka pranuar se kishte marë 10 mijë euro nga Nuredini, me qëllim për të lëvizur dhe mbajtur në vëzhgim Ndocin,”-thuhet në dosjen e SPAK.