Banorët e bashkisë Vau Dejës dolën sërish në protestë pasi 2 javë nga përmbytja që përfshiu këtë zonë, asnjë masë nuk është marrë bashkia e kësaj zone.

Dëmet që janë shkaktuar thonë banorët janë të shumta, ku në biznese dhe shtëpi banimi përllogariten në miliona lekë.

Ata akuzojnë bashkinë dhe kryetarin Mark Babani për mosndërhyrje, duke shtuar se ky i fundit madje ka patur sjellje arrogante ndaj tyre.

“Kam shkuar dhe jam ankuar tek kryetari i Bashkisë për dëmet në lagjen time dhe më nxorri nga zyra, më tha: Do dalësh nga zyra në këto momente se ndryshe do të kemi veprime të tjera.

Ka marrë policinë bashkiake dhe më ka nxjerr me polici bashkiake. I ka thënë policit që këtë person mos e fut më në bashki,” tha banori.

Apeli i banorëve është që të ndërhyhet pa nisur reshjet intensive, duke ndërtuar një argjinaturë mbrojtëse për përroin, heqjen e portave bllokuese dhe pastrimin nga mbetjet që kanë pushtuar kanalin.

“Jemi të rrezikuar në momentin e parë që do të bjerë shi, pasi ka mbi 10 familje që rrezikojnë të përmbyten, pasi tek përroi nuk kanë marrë asnjë masë,” tha ai.

Nëse bashkia nuk ju jep zgjidhje për dëmet, banorët do t’i drejtohen drejtësisë.

Bashkia Vau Dejës sipas banorëve në 4 vitet e drejtimit të Mark Babanit nuk ka bërë asgjë për fenomenin e përmbytjeve në këto lagje.