Sëmundjet kardiovaskulare po shtohen gjithmonë e më shumë tek moshat e reja, të cilat nuk përfaqësojnë elementin moshë si faktor risku.

Kardiologu Taulant Gishto thotë për Gazetasi se sëmundjet kardiovaskulare po hasen ndjeshëm në individët nën 45 vjeç për meshkujt dhe nën 55 vjeç për femrat. Kardiologu thotë se një ndër faktorët kryesorë të gjetjes së sëmundjeve kardio-vaskulare gjithmonë e më shumë është dhe sensibilizimi më i gjerë i popullatës në moshat e reja.

“Sot kemi më shumë të rinj që vijnë për një kontroll rutine kardiologjik i cili shërben si pikënisje e një sërë diagnozash të heshtura të cilat më parë nuk kanë qenë të evidentuara”, thotë Gishto.

Stresi dhe jeta sedentare janë dy faktorë që sot janë të përhapura masivisht në moshat e reja. Gishto thotë se të rinjtë janë nën efektin më të madh të stresit për shkak të orëve të tejzgjatura në punë, një jetë e cila po shkon drejt organizimit virtual ku socializimi psikologjik me shoqërinë më të afërt po bëhet gjithmonë dhe më i rrallë.

Ndërkohë kardiologu shpjegon se jeta sedentare është mungesa e aktivitetit fizik të nevojshëm për të djegur kaloritë e marra nga ushqimet të cilat sot janë shumë më shumë hiperklorike se më përpara.

Sipas PubMed, një e treta e popullsisë globale të moshës 15 vjeç e lart angazhohet në aktivitete të pamjaftueshme fizike, gjë që ndikon në shëndetin e tyre. Stili i jetesës sedentare po përhapet në mbarë botën për shkak të mungesës së hapësirave të disponueshme për stërvitje, rritjes së “sjelljeve të ulura” profesionale si puna në zyrë dhe rritjes së përdorimit të pajisjeve teknologjike për të ecur. Për rrjedhojë, problemet shëndetësore të lidhura me jetën sedentare janë në rritje.

Kardiologu Gishto thotë se jeta sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik po çojnë dhimbshëm drejt obezitetit i cili është një faktor risku kardio-vaskular që nuk duhet nënvlerësuar.

Obeziteti favorizon dislipideminë, hipertensionin dhe tolerancën e dëmtuar të glukozës, faktorë këta që rrisin më tej riskun për sëmundje kardiake.

“Një individ obez paraqet një tolerancë të dëmtuar të glukozës e cila nga ana e saj favorizon diabetin duke çuar në dëmtim të endotelit të enëve të gjakut ku infarkti akut i miokardit është komplikacion madhor jetë kërcënues që kjo moshë mund të përballet”, thotë kardiologu.

Apeli që ai i bën kësaj moshe është të mundohen të kenë një jetë me sa më shumë aktivitet fizik, të ushqehen sa më shëndetshëm dhe të mundohen mos të stresohen.

“Të qëndruarit larg ushqimeve hiperkalorike si edhe fast food-eve është një fillim i mbarë duke shtuar edhe konsulta rutinë tek kardiologu”, përfundon Gishto./GazetaSi