Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku zhvilloi këtë pasdite së bashku me drejtues të Departamentit te Krimeve ne Drejtorinë e Përgjithshme një vizitë blic në Shkodër, ku ka kërkuar zbardhjen e shkaqeve dhe ngjarjeve që kanë tronditur qyteti, duke iu referuar rastit të fundit, vrasjes së 19-vjeçarit Erjon Xhenje.

Erjon Xhenje u ekzekutua me armë zjarri në një lokal pasditen e së dielës, 18 shtator.

Autorët nuk janë kapur ende nga policia.

Kjo ka qenë ajo që Rrumbullaku u ka kërkuar sot në Shkodër. Qëllimi kryesore i këtij takimi ka qenë zbardhja e vrasjes se 19-vjeçarit Erjon Xhenje.

Drejtori Rrumbullaku ka kërkuar administrimin e të gjitha provave që disponon policia, ndërkohë që sektori i kriminalistikës pranë Drejtorisë së Përgjithshme është vënë në dispozicion të grupit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje që ka tronditur Shkodrën.

Burimet bëjnë me dije se takimi ka zgjatur rreth një orë në ambientet e Drejtorisë se Policisë ne Shkodër./abcnews.al/