Nga Arlinda Çausholli

Kënga që po postoj, është shkruar dhe kompozuar nga Jonuz Gushta, një nga dajat e nënës sime, që ka lënë gjurmë si artist ne repertorin e këngës qytetare shkodrane. Kënga quhet Maragjyli.

Maragjyli është trëndafili i egër që rritet nëpër oborret shkodrane dhe si me “pahir” – më dukej mua – shpërndahej nëpër muret e rrugicave, si simbol i pasionit te pashtershëm të dashurisë, që pëshpëritej atëherë, aq sa shponte dhe muret.

Kur daja Jonuzi e këndoi Maragjylin për herë të parë, kujtoj të ishte dasmë. Dasmat atëherë ishin skena me e madhe e këngëve, sepse aty fillonte ahengu, dhe aty këndoheshin këngët e reja. Unë duhet të kem qenë shumë e vogël, sepse zotërinë që ishte ngritur në këmbë të përcillte këngën e re, e kujtoj të gjatë, e koka ime ngrihej shumë lart për ta parë. Kishte një beretë ngjyrë gri dhe një fizarmonikë që shkëlqente.

Mbaj mend që ky burrë fisnik i shpalosi pa ndrojtje ndjenjat e dashurisë dhe të gjithë e shihnin me admirim. Kujtoj se nuk pipëtinte asnjë zë.

Maragjylin, ia kushtoi publikisht Çepes, gruas së tij, një nga krijesat më të bukura shkodrane, sytë blu të së cilës unë i kujtoj akoma, edhe pse flokët e bardhë i ndrinin nën një shami po aq të bardhë.

Fjalët e përkora më të cilat përkundi Çepen dhe neve të gjithë, atë natë, edhe sot, ishin melodi për veshët e mi.

Dua të them, që me sa është e mundur, seleksiononi tekstet dhe këngët që dëgjojnë fëmijët e parritur akoma, sepse çfarë hyn nga veshi do të dalë nga goja.