Mediu nuk e pret më Bashën, prezanton ekipin me 36 kandidatët për Tiranën: Kërkojmë reciprocitet në koalicion

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka prezantuar 36 kandidatët për deputetë në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit. Prezantimi i tyre është bërë në mbledhjen e aktivit të Tiranës, në një kohë  kur dy partitë më të mëdha të opozitës PD dhe LSI ende nuk e kanë vendosur nëse do të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhje.

Ndërkohë që Mediu ka lëshuar një mesazh edhe për Bashën, ku thotë se marrëdhënia në koalicion duhet të jetë reciproke dhe çdo parti duhet të vlerësohet në bazë të peshës që ajo ka.

“Historia e të djathtës është histori njerëzish që e kanë krijuar atë. Nuk mund të ketë sukses një parti politike, një opozitë, në qoftë se nuk do të dijë të vlerësojë, jo vetëm historinë e vet si vlerë e shkruar e historisë , e arritjeve, por sidomos si vlerë e kapitaleve njerëzore që kanë krijuar këtë histori.

Prandaj është shumë e rëndësishme që në rrugëtimin tonë për të bashkuar shqiptarët më 25 prill, të bashkojmë në radhë të parë atë që është identiteti politik i të djathtës, të përndjekurit politikë, ata që u persekutuan, pronarët, themeluesit, krijuesit, ideatorët e lëvizjeve demokratike, ata që kanë kontribuar në këto 30 vite, ata që kanë realizuar arritje, ata të cilët janë një potencial i jashtëzakonshëm intelektual, por dhe politik dhe elektoral, jo vetëm për Partinë Republikane, por për Partinë Demokratike dhe gjithë opozitën. Të bashkojmë të gjithë politikën e djathtë, sepse kam bindjen që e djathta, në mënyrë të padiskutueshme, mbart më shumë vlera, në respekt të njerëzve, në respekt të vendit, në respekt të kombit, për t`a bërë Shqipërinë Europiane.

Rama po e shkatërron çdo gjë të ndërtuar në këto 30 vite sepse e ka nisur çdo gjë me zero. E kam thënë dhe po e përsëris, zeroja prodhon vetëm zero, dhe kjo është ajo që ka prodhuar Edi Rama, mohimi, përbuzja, fyerja, shkatërrimi, e ka sjellë Shqipërinë në momentet më të vështira në historinë e saj politike.

Në ka një oligark të vetëm ky vend, që ka prodhuar vetëm korrupsion dhe klientelizëm ekonomik, ky është Edi Rama dhe përgjegjësia është e tij, për zhvillimin dhe problemet që ka biznesi sot. Pa biznes nuk ka ekonomi dhe nuk ka të ardhme. Në ka njerëz që krijojnë, janë biznesi. Në ka njerëz që punësojnë, janë biznesi. Në ka gjë që duhet t`a dëshirojmë, është t`a zhvillojmë biznesin. Në ka gjë që duhet t`a mbështesë Partia Republikane, është të mbështesë biznesin, sepse biznesi është mundësia për punësim dhe zhvillim ekonomik të këtij vendi.

E djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. E djathta e ka të domosdoshme të ndërtojë në radhë të dytë një koalicion vlerash, ku idetë tona krijojnë shpresë dhe besim. Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama. Është e domosdoshme të tregojmë që ne kemi forcën për të bashkuar shqiptarët kudo që janë, për t`a bërë Shqipërinë Europiane, për të krijuar shanse dhe mundësi të reja.

Ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash. E vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike, dhe në mënyrë të padiskutueshme, kur arrin dhe gjykon së bashku, kush janë kandidatët që përfaqësojnë këto vlera, për t`a çuar jo thjesht opozitën përpara, por shoqërinë përpara, në mënyrë që në Parlament nesër, të jenë zëri i qytetarëve dhe i mundësisë për një realitet ndryshe, për të ndërtuar shtetin dhe jo vetëm thjesht të jenë në Parlament për t`i shërbyer pushtetit.

Po kërkojmë reciprocitet, respekt, vlerësim të njerëzve të Partisë Republikane, të historisë së Partisë Republikane, të peshës së Partisë Republikane dhe njëkohësisht të ideve të Partisë Republikane, sepse besojmë tek këto ide dhe këto vlera.

Kjo është trupa elektorale e Partisë Republikane. Këta do të jenë kandidatët, ju do të jeni kandidatët, në çdo qendër votimi, për të punuar të gjithë së bashku.

Unë ju kërkoj ju të gjithëve, besoni në veten tuaj, besoni në të ardhmen tuaj, sepse keni një të ardhme përpara, si njerëz, si komb, dhe kjo kërkon angazhimin dhe përkushtimin tonë”, deklaroi Mediu.