Ekzekutimi i efektivit të policisë Xhulio Prela, mëngjesin e së shtunës në superstradën Lezhë Milot vijon të mbetet pa autor. Dëshmia e familjareve dhe bashkëpunëtoreve të 26 vjeçarit nuk e ka orientuar grupin hetimor drejt një piste konkrete hetimi. Në deklarimet e tyre para hetuesve ata kanë thënë se i riu ishte njeri i qetë dhe nuk kishte shfaqur shqetësime për ndonjë konflikt të mundshëm

Pista kryesore që po hetohet është ajo e ndonjë konflikti personal që mund të ketë pasur 26 vjeçari me ndonjë person gjatë ditëve të fundit, por që nuk iu ka rrëfyer familjareve apo shokëve të tij. Gjithashtu po verifikohet edhe veprimtaria e vëllait të viktimës, i cili prej disa kohësh është emigrant në Britaninë e Madhe

Ndërkohë referuar dinamikes së ngjarjes, dyshimet janë se efektivi i policisë ka komunikuar në telefon para se të vritej, pasi ndonëse kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autorët pranë fshatit Gajush të Lezhës

Kamera e sigurisë e një biznesi pranë vendit të ngjarjes ka fokusuar momentin kur Xhulio Prela është afruar dhe ka biseduar me njërin nga personat që ndodheshin aty . Por në pamje është mjaft i vështirë identifikimi i automjetit të autoreve, duke qenë se aty pranë ka qenë i parkuar dhe një mjet i tonazhit të rëndë i cili ka penguar pamjen e plotë