Nuk ka ende një urdhër nga Ministria e Shëndetësisë, por spitali rajonal i Shkodrës është duke bërë gati për tu kthyer në spital COVID Lajmi u bë i ditur nga drejtori i spitalit Ardian Dajti gjatë një interviste për Report TV

“Duke menduar se një situatë e jashtëzakonshme kërkon masa të jashtëzakonshme edhe ne kemi bërë një plan. Po zbatojmë një plan për të qenë në gatishmëri për numra jashtë norma. Duke ju referua linjave të oksigjenit, ndarjet e ambienteve. 90 deri në 95 shtretër në dispozicion për këtë situatë. Megjithatë pjesa tjetër është rezervë. Edhe aktiviteti Kemi përcaktuar lokacionin, vendin që mos të ngatërrohen, mos shkelet protokolli që të sëmurët me COVID të përzihen me të tjerët” tha drejtori i Spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti.

Të gjitha këto masa po ndërmerren për shkak të përkeqësimit të situatës. Aktualisht çdo ditë në këtë spital paraqiten 20 paciente të dyshuar me COVID19

Dajti shprehet se rastet me simptoma të lehta marrin trajtim në Shkodër, ndërsa pacientet në gjendje të rënduar transportohen drejt Tiranës.

“Nëse i referohemi buletinit të Ministrisë së shëndetësisë shohim se ka një rritje të të prekurve me COVID Në Shkodër është rrit fluksi që kërkojnë ndihmë. Zbatojmë protokollin. Por nëse në javët e mëpërparshme kishim 8 deri në 15 raste të dyshimta për COVID tani numri është më shumë se 30 raste në ditë që kërkojnë ndihmë” shtoi Dajti.

Drejtori i spitalit të Shkodrës apelon qytetarët e sidomos moshat e reja, të mos neglizhojnë këtë sëmundje.

“Ajo që dua unë të theksoj dhe që vë re gjatë këtyre muajve, është neglizhenca që tregohet diku nga mos besimi, nga mos dëshira për të shkuar në spital. Të sëmurët rrinë deri në një shkallë të rëndë të sëmundjes. Pastaj është vështirë ta kapërcesh situatën. Të rinjtë janë më të prekur dhe që kanë një fund fatal. Një vetëbesim se duke qenë të rijnë nuk prekemi, por me të vërtetë ato po preken dhe rastet janë më agresive” apeloi drejtori.

Shkodra, mbetet ndër qarqet më të prekura nga COVID19 me 754 raste aktive.