SITUATA E KOLAPSIT KERKON MASA TE JASHTEZAKONSHME, QE TANI E JO PER FUSHATE!!!!!

Nga biseda në Report TV në emisionin “Pa protokoll” mbi situatën e rënduar të Covid19 në vend

Javët e muajt që kemi përpara janë sfiduese në përballjen me Covid 19 si për sistemin shëndetësor ashtu edhe për qytetarët. Shteti ende nuk ka një strategji e plan masash të shoqëruar me faturë financiare, si për rritjen e kapaciteteve me pajisje, me staf të kualifikuar e hapjen e spitaleve të tjera Covid e njëkohësisht mbështetjen financiare të pacientëve të infektuar që trajtohen në shtëpi.

Mungesa e një protokolli bazë të unifikuar të mjekimit për katër stadet e trajtimit të infeksionit, si dhe të përditësuar me eksperiencën e vendeve më të zhvilluara kanë krijuar një situatë kaotike tek mjekët e qytetarët lidhur me mjekimin dhe kjo është shumë e rrezikshme.

Përpjekjet për ta parë problemin tek opozita që denoncon, ndërsa sistemi është qartazi në kolaps sepse qeveria nuk pranon të heqë dorë nga koncesionet e tenderat sekretë janë të turpshme.

Prioritet sot është zbatimi i protokollit testim-gjurmim-izolim dhe sigurimi nga shteti i trajtimit falas të pacientëve që mjekohen në shtëpi. Nga ana tjetër duhen rritur kapacitetet spitalore me hapjen edhe të spitaleve të reja për të ulur ngarkesën e spitaleve ekzistuese Covid dhe sidomos shtimi i stafeve të trajnuar me anestezistë-reanimatorë dhe infermierë të terapive intensive e reanimacionit. Përfshirja e plotë e mjekëve të familjes në këtë proces do lehtësonte që në momentet e para trajtimin e personave të infektuar. Ne duhet ta kthejmë vëmendjen tek qytetarët dhe personeli shëndetësor, të braktisur nga qeveria që refuzon të prekë koncesionet e errëta e tenderat sekretë.