Nga sot nisin masat shtrënguese për shkak të situatës së Covid-19 në vendin tonë, duke kufizuar lëvizjen nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini, thotë se ky është fillimi i masave të moderuara për të shmangur karantinën kombëtare. Sipas saj, incidenca ka arritur në 177 raste për 100 mijë banorë dhe ka transmetim të gjerë komunitar.

“Është fillimi i masave të moderuara duke pasur masën e thjeshtë atë të maskës në ambiente të jashtme, duke vlerësuar situatën, rastet e hospitalizuara. Komiteti Teknik ka vlerësuar të arsyeshme për të rifilluar masat shtrënguese. Incidenca ka arritur në 177 raste për 100 mijë banorë dhe kemi transmetim të gjerë komunitar dhe vendosja e masave do të vlerësohet në dinamikë. Ka edhe masa parapritëse për mosfillimin e universiteteve tha ajo në ”A2cnn”

E pyetur për vlerësimin e situatës nga ana ekonomike, Tomini sqaroi se për ISHP-në prioritet është shëndeti i njerëzve, ndërsa shtoi se po ezaurohen të gjitha mundësitë për të shmangur karantinën. ”Është ISHP-ja primare për vlerësimin e situatës, ndërkohë që nga ana ekonomike ne peshpojmë më pak, se prioritar është shëndeti, gjithmonë vlerësojmë të gjithë masat e moderuara deri në nivelin ekstrem për të mos arritur karantinën gjeografike apo kombëtare. Favorizim i punës online. Po ezaurojmë të gjitha mundësitë për të evituar karantinën” theksoi ajo.