Krijimi i një Komisioni për të shoshitur e përzgjedhur kandidaturat për t’u paraqitur në zgjedhjet e ardhshme kuvendore, i shpallur para pak muajsh nga kryetari i PD, z. Lulzim Basha, u quajt si një risi e dobishme në jetën politike shqiptare të dhjetë viteve të fundit. Si e tillë, si një dukuri jashtë skemave populiste, krijimi i atij komisioni, i paraqitur si një ndihmesë në dobi të meritokracisë në përcaktimin e përfaqësuesve t ‘ardhshëm të partisë demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, të partisë së parë mbas komuniste në kalesën shqiptare, pati anët e saj pozitive, por edhe ndonjë mangësi

Duhet pranuar se vëllimi i punës që ka përballuar ai komision ka qenë tepër i madh e pesha e vendimeve në kohë tepër të shtrënguara, mjaft e rëndë. Si përfundim ka patur mjaft vendime që kanë zgjuar dyshime, qejf prishje e mos miratime, gjëra që janë edhe të zakonshme në raste të tilla vlerësimesh, ku kufiri ndërmjet objektivitetit “shkencor” dhe parapëlqimeve ideore a pragmatiste është një zonë e hirtë në të cilën pështjellimi i tyre nuk është i pamundur. Përbërja e atij komisioni pesë vetash, ku tre prej tyre janë veprimtarë të hershëm të partisë, me funksione shumë të rëndësishme shtetërore në të shkuarën jo të largët të Vendit e dy të tjerë të marrë nga bota akademike e me një personalitet të përvijuar pozitivisht, mendoj se flet qartë për qëllimet e synimet e punës së tyre.

Dy profesorët universitarë, Enriketa Pandelejmoni e Mark Marku, janë risia e dukurisë e janë një hap i mirë përpara në synimin e përzgjedhjes së kuadrove të një partie të madhe, por shërbejnë edhe si një mburojë që përligj “kthesën “në strategjinë e saj ku, në gjithë historinë e kalesës PD, ashtu si dhe partitë e tjera, kanë parapëlqyer në thelb trashëgiminë komuniste të drejtimit majësor edhe në përcaktimin e përzgjedhjeve cilësore e të përgjegjësimit të kuadrove. Por nuk është e vështirë të tejshihet në veprimtarinë e komisionit se përzgjedhja është kryer me logjikën e vjetër të partisë, mbasi raporti ndërmjet patriarkëve të vjetër e intelektualëve të rinj (jo aq në moshë sa në veprimtari politike) është tre me dy, në dobi të të parëve.

Pa hyrë në hollësi të vendimeve të komisionit, i cili ka dhënë ndihmesën e tij, por që nuk mbetet i plotfuqishëm, mbasi partia cakton një numër kandidatësh që nuk kalojnë në sitën e tij, por mbeten në fuqi për garën zgjedhore, po ndalem në një vendim të tij: Lorenc Luka caktohet në listë pritjeje. Konkretisht përjashtohet nga pjesëmarrja në garë, duke pritur një “mrekulli” të ditëve të fundit, që nuk kuptohet se nga mund të vijë. Unë nuk e di se cilët kanë qenë kriteret që kanë mbizotëruar në atë vendim e po ashtu nuk di nëse vendimi ka qenë i njëzëshëm apo përfundim i një rrahje mendimesh në gjirin e komisionit. Në rastin e parë do t’a quaja shqetësues atë, sepse është marrë pa u thelluar aspak në historinë vetiake e familjare të kandidatit e në rastin e dytë do t’a quaja si një shfaqje të prirjes për të larguar emra të vjetër e për t’i zëvendësuar me prurje të reja të “revolucionit” të vitit 2019.

Lorenc Luka është bir i një familjeje të ndershme qytetare të shekullit të shkuar. Gjyshi i tij, të cilit Lorenci i trashëgoi emrin, ka qenë një tregtar atdhetar, i njohur në qytetin e tij e më përtej për ndershmërinë e tij karakteristike. I papërzierë politikisht gjatë luftës së Dytë botërore, mbas mbarimit të saj pësoi marrjen me dhunë të gjithë pasurisë së tij, si qindra e mijëra tregtarë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Si pasojë e këtij akti grabitqar të fituesve të “revolucionit bolshevik shqiptar” djali i madh, Zefi, kërkoi rrugën e jetës së tij jashtë Shqipërisë, duke u kthyer në një veprimtar kundër komunist në rradhët e mërgimit të gjatë të mbas luftës. Babai i Lorencit, Karleti, me nënën e tij, Gjuzepinën, një grua engjëllore, u degdisën në kampin e çfarosjes së Tepelenës. Karleti njëzetvjeçar braktisi veglat e gjimnastikës në të cilën premtonte shumë e i u nënështrua ngarkesave të druve mbi shpinë në ferrin e Tepelenës. Vëllai tjetër, Viktori, u arrestua e kaloi vite të tëra të rinisë së tij në burgun famëzi të Burrelit.

Ky është kuadri familjar në të cilin lindi Lorenci. Mbas prishjes së kampit të Tepelenës, familja e Karletit u shpërngul, së bashku me shumë shokë e shoqe të fatkeqësive, në sektorin e Savrës së NB “29 nëntori” të Lushnjës. Atje ai u njoh e u dashurua me Margaritën, një bashkëqytetare të tij. Nga ajo dashuri, ndër të parat mbas vitesh të gjata internimi që përfundoi në martesë, lindi Lorenci. Ishte ai një ndër të parët fëmijë të lindur në kampin e Savrës. Për të gjithë banorët e kampit ai u bë simbol i shpresës, i jetës që rilindte, i një t ‘ardhmeje më të mirë që zinte fill në arsyet e mpakura nga terrorizmi i viteve të Tepelenës.

Më pas familja e liruar nga internimi u kthye në vendin e saj, në Shkodrën e traditave kulturore mijëvjeçare. Lorenci u rrit në mjedisin katolik e atdhetar t ‘atij qyteti që, edhe në gjysmë shekullin e zi të diktaturës komuniste, ruajti dinjitetin njerëzor duke mos pranuar skajshmërinë e diktaturës, duke ruajtur pjesërisht vlerat morale të trashëguara. Viti 1990 e gjeti Lorencin djalë të formuar tridhjetetre vjeçar, në sintoni me pjesën më të mirë të bashkëqytetarëve të tij, në përpjekje për të rrëzuar simbolet e komunizmit e për të kërkuar demokracinë

N’atë kohë Lorenci nuk mendoi, si shumica e bashkëmoshatarëve të tij të kohës, për tu larguar nga Vendi i tij, edhe se n ‘Amerikë kishte xhaxhain e tij, të vendosur atje prej shumë vitesh. Ai vendosi të qëndrojë në qytetin e tij. I u vu studimit dhe u diplomua në drejtësi e hyri në Partinë Demokratike.

Në sajë të ndershmërisë familjare e vetiake, të vullnetit krijues në punën e tij në vite ai fitoi respektin e besimin e bashkëqytetarëve e të partisë demokratike, të cilët e ngjitën dy herë në detyrën e kryetarit të bashkisë së qytetit e n’atë të kryetarit të qarkut Shkodër. Gjatë qëndrimit n’ato detyra të rëndësishme ai dha ndihmesën e tij për të ngritur Muzeun e Kujtesës në godinën e ish Degës së punëve të brendshme të Shkodrës, për të pasqyruar aty të gjitha shfaqjet mizore të luftës së klasave e të diktaturës gjakatare komuniste në qarkun e Shkodrës. Në legjislaturën ekzistuese Lorenci u zgjodh deputet, duke alternuar misionin e administratorit me atë të ligjvënësit, gjë që është mënyra më e mirë për formimin e plotë të një politikani

Sot Komisioni vlerësues i kandidatëve për deputetë e ka lënë në pritshmëri Lorenc Lukën. Më duket e drejtë që një njeri i lindur në një kamp internimi të regjimit komunist, fakt ky i përveçëm në gjithë aradhën e politikanëve të sotëm shqiptarë, të ketë mundësinë për të kërkuar edhe njëherë tjetër votëbesimin e qytetarëve të tij. Nëse këtë votëbesim ata , për arsye të ndryshme, nuk do t’i a japin më, ai besoj se do ta pranojë me qetësi atë vendim, duke përsiatur në vetvehte gjithshka që e shkuara si administrator e si politikan do ti sjellin para ndërgjegjes së tij, për të ballafaquar atë që ka bërë me atë që nuk ka mundur të bëjë, atë që ka dëshiruar të sjellë në jetën e qytetit të tij me atë që realisht ka sendërtuar në dobi të bashkëqytetarëve e të gjithë shqiptarëve, duke bërë kështu bilancin e gjithë jetës së tij politike

Jeta është një provim i vazhdueshëm e prania vepruese në politikë ballafaqon këdo me përfundimet e punës së tij. Por në demokraci duhet të jetë gjithmonë masa e votuesve ajo që duhet të përcaktojë në të vërtetë suksesin apo dështimin e një politikani, vazhdimin ose jo t ‘asaj jete. Ky rregull themeltar i demokracisë që nga koha e Perikliut e deri në ditët tona, fatkeqësisht në çerek shekullin e fundit, në sajë të marrëveshjeve të ndryshme mes partive e mekanizmave zgjedhore të bashkërenduara po prej tyre në Shqipërinë tonë, të shoqëruara këto me tjetërsimin e votës, pothuajse është fshirë nga praktika e votimeve me listat e mbyllura të hartuara nga kryetarët e forcave politike. Shpresojmë që listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme të jenë fillimi i rivendosjes së këtij kriteri bazë të bashkëjetesës demokratike.

Lorenc Luka, ashtu si ndonjë tjetër, përfaqësojnë në politikën e sotme “të fundmit e Mohikanëve” t’asaj pjese të shoqërisë shqiptare që provoi në kurrizin e saj barrën më të rëndë të diktaturës, që u aktivizuan me partinë demokratike në gjithë këta vite të kalesës. Ata i besuan asaj partie, si një force politike që do të ndryshonte Shqipërinë, do të sillte për të një demokraci të vërtetë, do të ndreqte gjithë padrejtësitë e shekullit komunist. Si të tillë besoj se meritojnë të venë kandidaturat në një parti së cilës vazhdojnë ende ti besojnë. Një komision në të cilin vendos ish presidenti Bujar Nishani që, ndërmjet të tjerave, ka mbetur proverbial për mos dekretimin e Ardian Ndrecës e Visar Zhitit, dy prej intelektualëve më të spikatur të jetës kulturore shqiptare si ambasadorë në Vatikan, me të gjitha pasojat negative t’atij veprimi, nuk besoj të ketë tagrin e duhur për ti përjashtuar

Një vendim i tillë do t’i jepte grushtin e nokautit shpresave të gjithë atyre shqiptarëve që ushqejnë iluzionin se partia demokratike vazhdon të përfaqësojë interesat e ish të përndjekurve politikë në Shqipëri /Gazeta Liberale