Është rikthyer pas pesë muajsh për diskutim projektligji i shumëdebatuar, i cili i jepte policisë kompetencën e prokurorisë për përgjime. Nisma e ligjore e mbrojtur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u pezullua që në muajin maj 2020, pas reagimeve të forta të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, disa deputetëve socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, juristëve të ndryshëm dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët e konsideruan nismën ligjore të rrezikshme dhe antikushtetuese, pasi nxirrte jashtë loje prokurorinë, duke kaluar përgjimet në dorën e policisë, e cila mund të përdoret nga çdo qeveri për përgjime politike.

Javën e kaluar, ministri Lleshaj u paraqit me një variant të ri, duke u tërhequr nga plani i përgjimeve nga policia pa leje të prokurorisë. Varianti i ri për ndryshimin e nenit 131 të ligjit për Policinë e Shtetit, parashikon që policia vetëm mund të lokalizojë dhe mbikëqyrë peronat që dyshohet se kanë kryer një krim apo që po organizojnë kryerjen e një krimi. Në këto raste, policia bën pa i marrë leje prokurorisë gjurmimin dhe mbikëqyrjen e personave të dyshuar, përmes pajisjeve dhe teknikave të veçanta, duke i identifikuar dhe lokalizuar. Gjithashtu, policia mbikëqyr lëvizjet dhe komunikimet jo elektronike të këtyre personave.

Rregullat dhe procedurave të lokalizimit dhe mbikëqyrjes do miratohet me një udhëzim të posaçëm të ministrit të Brendshëm, kryeprokurorit dhe kreut të SPAK. Këta të tre do të kontrollojnë në çdo kohë zbatimin e këtyre masave nga policia, me qëllim shmangien e abuzimeve. Varianti i ri i për ndryshimin e nenit 131 është mbështetur nga Komisioni i Ligjeve, Komisioni i Sigurisë Kombëtare si dhe nga Prokuroria. Projektligji pritet të miratohet në Kuvend ditën e enjte.

Ndërkaq mbetet në fuqi krijimi i Komitetit Kombëtar i Politikave për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit. Komiteti kryesohet nga ministri i Brendshëm, ndërsa ka në përbëje kryeprokurorin, kreun e SPAK, kreun e SHISH, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave, kreu e Policisë së Shtetit, drejtorin e agjencisë përgjegjëse për luftën kundër terrorizmit dhe drejtorin e agjencisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave. Edhe kjo strukturë u kritikua, pasi kryeprokurori dhe kreu i SPAK janë të pavarur, por ministri Lleshaj ka pohuar se kjo strukturë nuk i jep llogari askujt dhe se ka vetëm funksion këshillimor.