Risia e vetme që ka ofruar Partia Socialiste në organizimin e saj politik në zgjedhjet e ardhshme është vetë Edi Rama dhe, i cili përkohësisht ka marrë Durrësin në kujdestari, siç duket pasi nuk i ka dalë kush për zot t’i zërë vendin Vangush Dakos.

Por edhe Erion Veliaj, i cili pas drejtimit de fakto, tashmë është edhe de jure lideri socialist i kryeqytetit, pas përvojave komanduese të dështuara të Blerina Gjylahmetit dhe të ndonjë tjetreje.

Ndërkaq, nga ana tjetër, jo vetëm që nuk ka pasur asnjë lëvizje të re, por duket se ka një rikthim në vitin 2017, madje edhe më herët siç është rasti i Shkodrës, kur Ilir Beqaj është rikthyer sërish si shef qarku pas vitit 2011, kur PS pësoi një përplasje të madhe dhe rezultate të dobëta.

Në Kukës PS ka lënë siç pritej kryebashkiakun Gjici, i cili logjikisht ka marrë frenat e qarkut pas marrjes së bashkisë së qytetit verilindor dhe nuk mund të pranonte një “ndërhyrje nga jashtë”

Bën çudi lëvizja e Lezhës ku Edi Rama ka rikthyer skemën e vitit 2017, duke larguar ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi si shef politik në qark dhe risjellë ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e larguar pas protestave të studentëve të dhejtorit 2018, e cila në fakt si shefe politike arriti rezultatin më të mirë të PS prej vitesh. Por rikthimi pas largimit, kur dukej se Nikolla do ti rikthehej profesionit të vjetër, duket se ka dhënë një sinjal për të rikthyer në qeveri ish-ministren, sidomos pas ndryshimeve të pritshme.

Ndërkaq, në Dibër, një rreth ku PS ka pasur disa lëvizje çdo legjislaturë, por asnjehrë nga baza, ka çuar sërish një outsider siç është ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila këtë herë zëvendëson Ilir Beqajn. Sërish asnjë risi politike apo sjellje emrash e fryme të re.

Në Elbasan vijon të jetë numri dy i PS-së Taulant Balla, çka dhe pritej, e në Fier kreu i Kuvendit gramoz Ruçi, ndërsa në Vlorë është ricikluar sërish Damian Gjiknuri.

Po edhe në Korcë, Edi Rama, ka ricikluar sërish një ish-të larguar, i cili prej kohësh ishte bashkuar me grupin e “rebelëve” së bashku me Bushatin, bëhet fjalë për ish-zv-kryeministrin Niko Peleshi.

Në Gjirokastër, është vendosur ministri Blendi Çuçi në krye të qarkut pas përvojës së Kumbaros, duke vulosur kështu një skemë tashmë të njohur, që bën të kuptojë se PS më shumë se të marrë vota të reja synon të kapë rezultatet e 2017-s, të cilat i ka arritur me këta emra që Rama i ka rikthyer si një “supë e ringrohur” për mandatin e tretë.

Po a do të kenë këto figura tërheqjen e duhur për një moment ndryshe politik siç është “e treta politike”?

Kjo do të shihet natyrisht në vazhdim, pasi është herët dhe ndoshta Rama ka ende lëvizje për të bërë, natyrisht nxitur edhe nga manovrat e kundërshtarëve.

Megjithatë, një përfundim mund të nxjerrësh nga këto lëvizje, që oferta politike e mazhorancës, është ose e “kohës së kryer” siç janë riciklimi i ish-ministrave, ose e “kohës së shkuar” siç është rasti i Ilir Beqajt në Shkodër. E megjithatë, ende dilemë mbetet pse u lëviz Sandër Lleshi nga shef i Lezhës, ku dhe u “pompua” si “rising star i politikës”?

©Copyright Gazeta Shqip