Ka pritur gjatë, ka gjetur momentin dhe ka sfiduar veten dhuke shkruar një monografi.

Personazhi i librit “Pavlina… “ është i njohur dhe i dashur për breza shqiptarësh,ndërsa për autoren Anila Dushi ishte ëndrra shumë e hershme e cila qëndronte e kyçur në sirtarin e mendjes.

Dhe sirtari u hap në nëntor të vitit 2018 kur Anila nisi punën për monografinë “Pavlina…” kushtuar një prej artisteve më të mira të skenës shqiptare Pavlina Mani,njëkohësisht idhulli artistik i autores.
Dhe në më pak se dy vite, Anila me punë,me shumë punë,por mbi të gjitha me këmbëngulje e seriozitet,arrin qëllimin,boton librin e ëndrrave të saj.
I konceptuar në tre pjesë, libri pasqyron me detaje aktivitetin artistik të “Artistes së Merituar” Pavlina Mani ,e cila që nga viti 2001 jeton familjarisht në SHBA.

 

Libri analizon të veçantën që Pavlina Mani arriti,suksesin e padiskutueshëm që e nguliti në kujtesën e publikut në skenë dhe ekran.Ky aktivitet i pasur artistik përfshin 30 vitet e punës së Pavlinës në Teatrin Kombëtar,aktivitetin e saj në kinematografi,25 vitet si drejtuese e emisionit të fëmijëve në TVSH dhe gjithë karrierën artistike të saj.
Ky aktivitet i pasur artistik,vjen në libër i shkruar profesionalisht, i besueshëm e real, mbështetur në bisedat e autores me regjisorë e aktorë të njohu , bashkëpunëtorë të Pavlina Manit në rrugëtimin e saj artistik,por dhe vetë rrëfimet e Pavlinës.

Anila Dushi ka qëmtuar në arkivat, në gazeta e revista të kohës apo dhe libra për artin, duke gjetur elementë që plotësojnë librin,gjithçka në shërbim të qëllimit:pasqyrimit dhe analizës së aktivitetit artistik të Pavlina Manit. Por jo vetëm kaq.

Anila me shumë kujdes ka bërë dhe përshkrimin e Pavlina Manit si njeri, me humanizmin,përkushtimin maksimal në punë e familje.

Figura artistes shpaloset në të gjitha dimensionet,si bijë, motër,bashkëshorte,nënë,kolege e mike.Pavlina në libër prezantohet si femra model që me këmbëngulje,bindje e forcë karakteri arrin të çajë vetë në jetë që herët,të fitojë mbi pengesat dhe vështirësitë,duke ia dalë mrekullisht të rreshtohet në rradhën e parë të artistëve më të mirë të skenës shqiptare.

Duke shkruar për Pavlina Manin,në këtë libër Anila pasqyron bindshëm një epokë të artë të artit shqiptar,ku dramat, filmat,emisionet televizive apo spektaklet artistike ishin cilësisht shumë lart, pavarësisht vështirësive e kufizimeve ideologjike.

Pavlina Mani dhe kolegët e saj,punuan dhe dhanë shumë për artin,duke u skalitur në memorien e njerëzve të thjeshtë,artëdashësve, dhe duke motivuar ato në një kohë me ngarkesa të shumta,kryesisht psikologjike.
Aktorët e regjisorët e këtij brezi, të lënë “në harresë” nga kapitalizmi i sotëm dhe ato që drejtojnë vendin në këta 30 vite,janë vlerë e kombit dhe epoka e tyre e cila pasqyrohet në librin “Pavlina …” është epoka e artë që kurrsesi nuk duhet harruar.

Libri, përçon mesazhim që sot si kurrë ndonjëherë,si komb kemi nevojë të kuptojmë e mesojmë nga vlerat tona, nga vlerat e vërteta të artit shqiptar, ti kujtojmë e nderojmë ato.Duhet të themi e përsërisim vazhdimisht,për brezat e tanishëm se dikur pavarësisht ideologjisë dhe pengesave,u bë art i vërtetë, krijuam vlera dhe dhuruam kënaqësi dhe ky është thesar i kulturës sonë.Më shumë se kurrë, meritojnë mirënjohje artistë të tillë që dhanë gjithçka në skenë.

Libri “Pavlina…”,përveç përmbajtjes cilësore, prezantohet cilësisht dhe në formë,në kopertinën aq domëthënëse, në titullin e thjeshtë ,vetëm emri me tre pika pas,mjaft kuptimplotë, me fotot,detajet grafike etj.

Bravo Anila Dushi ! Fitove sfidën me veten por jo vetëm.Realizove ëndrrën e hershme që të mbush me kënaqësi dhe na dhurove një vlerë të shkruar që i shërben kujtesës kombëtare të artit shqiptar si dhe brezave.Kjo pasi libri rron gjatë.

Marta Naraçi,autore librash