Konkursi “Bilbilat e Vegjël të Shkodrës Këndojnë”, përmbylli natën finale me 27 këngët më të mira që garuan të ndarë në tre grupime. Në një mbrëmje me shumë emocione në teatrin “Migjeni” organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija” u dhanë edhe çmimet përkatëse. Për klasat e para të dyta dhe të treta çmimin e parë e mori Siara Toska. Për klasat 4-ta, 5-ta dhe të 6-ta fituese u shpall Eden Dani dhe për klasat e 7-ta, 8-ta dhe 9-ta çmimin e parë e mori Klevi Kapeta.Drejtorja e QKF Orjeta Kelaj thotë se emocionet në këtë mbrëmje ishin të forta.

Në natën finale të Bilbilave, e ftuar speciale ishte këngëtarja e mirënjohur Elhaida Dani e cila rikthehet në qytetin e saj pas shumë vitesh. Elhaida përjetoi gjithashtu emocione pasi kënga e saj “Ajër” u risoll nga mbesa Eden Dani me të cilën mori çmimin e parë për grupmoshën e saj.

Në finalen e konkursit të Bilbilave, nga klasa e parë në të tretën, çmimin e dytë e mori Hera Hoxha, të tretin Eliza Fani dhe çmimin inkurajues Evi Mukaj. Nga klasa e 4 në të 6-ën, çmimin e dytë e mori Amla Demushi, të tretin Jasemin Çaku dhe çmimin inkurajues Livia Lumçi. Në grupmoshën nga klasa e 7-të në të 9-ën çmimin e dytë e mori Grejsi Peraj, të tretin Irsa Mashi dhe çmimin inkurajues Eden Bushati.

Gjatë kësaj mbrëmje artistët e QKF interpretuan pjesë të ndryshme, recitime, humor e balet ndërsa në skenë u ngjitën edhe disa prej këngëtarëve më të mirë të dalë nga bilbilat derisa juria vendosi për çmimet fituese. Bashkë me artisten Ketlin Pjalmi nata finale u prezantua edhe nga dy bashkëdrejtuesit e Star Kids në Star Plus, Noel Hoxha dhe Onesa Nikshiqi.