Nga Mentor kikia

Para pak ditësh Luzlim Basha njoftoi se e “hapi PD” dhe lajmet vërshuan për rikthimin Bamir Topit, Genc Rulit, Besnik Mustafait etj. Së fundit është duke “çarë rrjetin” lajmi se Jozefina Topalli e refuzoi ftesën, ndërsa Majlinda Bregu nuk shkon në PD sepse e përzunë.

Akuzat nuk ishin të pakta për ”dëbimin” e figurave më emblematike të demokratëve, që nga koha e themelit të PD. Ajo që shoqëroi zgjedhjen e Bashës në krye të PD, dukej si një përpjekje për të riformatuar PD-në e kalbur nga pushteti i fundit 8 vjeçar.

Por tani mëritë u lanë pas dhe na rezulton se “spastrimet” nuk kishin qenë për katarsis, por një pastrim terreni nga ata që nuk e donin Bashën në atë karrige. Madje Basha duhet të rikthejë, ose të paktën të ftojë, edhe Ridvan Boden, edhe Jemin Gjanën e të tjerë. LSI e ka në krah dhe plotësohet sërish qeveria PD LSI. Mungon i ndjeri Dritan Prifti.

Por a di njeri të thotë se përse PD u largua (mua më pëlqen të them u dëbua) nga pushteti në vitin 2013? Jo se Rama kishte ndonjë platformë qeverisëse që na prishi mendjen, por se qeverisja e PD-së ishte qelbur këmbë e kokë. Koncensionet korruptive, që hapën epokën e PPP, u shpërndanë si dhurata për ditëlindje në muajt e fundit të qeverisjes së Berishës

E pra, në atë qeveri ishin të gjithë këta që sot baza e PD-së po kërkon ti riktheje, sipas parimeve të demokracisë së brendshme. Ndërsa mediat flasin për “ikona” Ikona të kujt, të hajdutërisë?

Nuk ka mbetur veçse të kërkohet edhe rikthimi i Berishës si kandidat për kryeministër, dhe ta përgatisim PD sërish për nuse.