Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar rihapën dje lojën për hapjen e listave. Para se opozita e bashkuar ta deklaronte në Këshillin Politik, Lulzim Basha doli para gazetarëve dhe tha se opozita kërkon hapjen 100% të listave, por duke mos prekur koalicionet.

Ende nuk ka një konfirmim sesi do të vijojë kjo çështje, por kurioziteti tashmë është ngritur, për metodën sesi mund të realizohet hapja 100% e listave, pa prekur koalicionet. I pari që ka folur për këtë metodë në realitetin zgjedhor shqiptar është eksperti Kristaq Kume. Shembulli na vjen nga Kosova, ku listat janë të hapura dhe koalicionet vazhdojnë.

Sot në Shqipëri me sistemin proporcional me 12 qarqe kemi një fletë të vetme votimi për zgjedhjet qendrore dhe 61 lloje fletësh për zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet e përgjithshme, votuesit zgjedhin partinë që është brenda koalicionit. Vota sipas formulave nxjerr koalicionin fituesit e më pas mandatet për secilën parti brenda këtij koalicionit. Nëse vendoset hapja e listave, atëherë do të kemi 12 fletë votimi, nga një për çdo qark.

Një metodë për përbërjen e fletës së votimit do të ishte e realizueshme edhe me formulën aktuale që përfshin koalicionet. Në njërën anë të fletës së votimit vendosej në krye emri i koalicionit parazgjedhor dhe poshtë tij, flamujtë e partive me emrat dhe numrat. Ndërsa në krahun tjetër të fletës, vendoseshin numrat e kandidatëve. Secili numër i korrespondon një kandidati.

Nëse në Tiranë, fleta e votimit do të ketë edhe koalicionet, çdo koalicion do të ketë brenda edhe partitë dhe nga ana tjetër numrat e kandidatëve nga 1 deri në 33, në bazë të mandateve që ka patur kryeqyteti në zgjedhjet e 2017.

Kështu që brenda një flete votimi, votuesi i jep fillimisht votën partisë brenda koalicionit dhe në anën tjetër voton edhe kandidatin.