Çështja e mbledhjes së asamblesë së Vllaznia sh.a, ka përçarë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Përplasje që vijon edhe pse kanë kaluar disa ditë.

“Panorama Sport” ka arritur të zbardhë një SMS të dalë nga një grup në rrjetin social “Whatsapp” që ka Këshilli Bashkiak.

Në një bisedë të zhvilluar, ka akuza se pasqyrat financiare 2018 janë miratuar nga anëtarët e asamblesë pa qenë 26 vota “pro”, që është minimumi për ta kaluar.

Kryetarja e Asamblesë së Vllaznia sh.a, Brisela Kadia, ka dërguar në këtë grup të “Whatsapp” shkresën e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila i është drejtuar Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore për një interpretim ligjor duke pretenduar se miratimi i këshillit mbikëqyrës nga ana e asamblesë së Vllaznia sh.a është kundër ligjeve në fuqi.

Pasi kryetarja e këshillit, Kadia, informon anëtarët e tjerë në “Whatsapp” për këtë shkresë të kryebashkiakes, një prej anëtareve të këshillit, më konkretisht Suada Selimaj, ka akuzuar se asambleja ka miratuar pasqyrat financiare 2018 pa pasur votat e mjaftueshme në sallë.

Ja se çfarë shkruan Selimaj: “E dimë që ka një përplasje midis dy ligjeve në lidhje me këtë pikë. Rrezikshmëria e vetme është që këshilli mbikëqyrës mund të mos pranohet nga QKB-ja për regjistrim.

Por kryetarja e bashkisë nuk mundet të na tregojë se çfarë të miratojmë dhe çfarë jo ose siç tha axha Lush (është fjala për anëtarin e Këshillit Bashkiak të PSsë, Lush Marku) në mbledhje të vijë Voltana (kryebashkiakja) dhe të japë llogari. Buxheti i 2020-ës u miratua. Për pasqyrat financiare të 2018-ës t’ia dinë për nder Briselës (kryetarja e Këshillit Bashkiak) që i kaloi se votat nuk ishin”. Ky mesazh është një akuzë e drejtpërdrejtë që Suada Selimaj pjesë e grupit të PSD në Këshillin Bashkiak të Shkodrës i bën kryetares së këshillit, por automatikisht edhe grupit të PS në këshill duke qenë se pretendon se pasqyrat financiare të 2018-ës janë miratuar pa qenë votat e mjaftueshme.

Shkak i këtij diskutimi që çoi më pas në akuzë, është pikërisht shkresa që kryebashkiakja i ka dërguar AMVV për interpretim lidhur me këshillin mbikëqyrës të Vllaznia sh.a që e miratoi asambleja e Vllaznia sh.a. Voltana Ademi në shkresën dërguar më 1 qershor 2020 Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, pretendon se vendimi për miratimin e këshillit mbikëqyrës është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe thotë se Këshilli Bashkiak që ka funksionin e asamblesë së Vllaznia sh.a, ka tejkaluar kompetencën e tij. Ndryshe nga sa pretendon kryetarja e Bashkisë Shkodër, se asambleja e Vllaznia sh.a ka vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi, anëtari i asamblesë Oltion Luli që propozoi 5 prej emrave, nga 11 propozime që dolën në total për anëtarë të këshillit mbikëqyrës, thotë se ky pretendim i kryebashkiakes nuk qëndron ndërsa jep argumentet e tij.

“Unë sapo kam marrë shkresë që kryetarja e bashkisë, Ademi, i ka dërguar AMVV dhe është bazuar te statuti i Vllaznia sh.a. Në asnjë nen të statutit që rregullon organizimin e kësaj sh.a-je nuk është e shkruar ‘me përfaqësues kryetarin e Bashkisë Shkodër’. Pra, vetëm në momentin e themelimit të kësaj sh.a-je, Këshilli Bashkiak si pronar ka autorizuar Z.Lorenc Luka, asokohe kryetar i Bashkisë Shkodër, për ta transformuar në sh.a. Ligji 139, ligji organik për vetëqeverisjen vendore thotë se kryetari i bashkisë vendos për emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës çka do të thotë se duhet që të ketë një propozim nga një organ kolegjial dhe jo të emërojë.

Në pikat e tjera ligji është i qartë dhe thotë ’emërojë’, ndërsa për këshillin mbikëqyrës thuhet ‘vendos të emërojë’ që do të thotë se duhet të ketë propozime nga një organ kolegjial dhe në këtë rast nuk ka asnjë propozim se nuk ka kush ta bëjë. Vendimi i Asamblesë së Vllaznia sh.a nuk është në kundërshtim me ligjet siç pretendon Ademi dhe përkundrazi. Në rast se AMVV i jep të drejtë kryetares së bashkisë lidhur me këshillin mbikëqyrës, atëherë këtë çështje ne do ta çojmë në gjykatë, sepse jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë pas kësaj vendimmarrje që kemi bërë. Nëse i jep të drejtë asamblesë së Vllaznia sh.a, atëherë janë të detyruar të regjistrojnë këshillin mbikëqyrës që ne votuam, por gjithsesi do presim përgjigjen dhe më pas do marrim hapat tanë më pas”, është shprehur anëtari i asamblesë së Vllaznisë. /Panorama Sport/