Nga Albert Vataj Më 25 shtator 2007 do të ndalonte së rrahuri në spitalin Gemelli Romë, zemra e At Zef Pllumit, nji prej gjëmimeve ma të zashme të denoncimit të ferrit komunist. Kurrkush deri aso kohe nuk e kallzoi ma kjartazi mizorinë e përbindshme të diktaturës.

Në atë ditë shtatori nji zemër pushon së rrahuri, nji za u shue së treguemi. Ai ishte nji njeri i përkorë, dijeshumë e shpirtshëlbyer, ai ishte At’ Zef Pllumit, frati françeskan, publicisti dhe rrëfimtar pendëhollë, kumtuesi i kushtrimeve ma ngjethëse të nji prej rrathve ma zjarmtë të ferrit komunist. Një prej denoncuesve ma tzashëm, ma tnjimendtë të dikaturës së egër.

Ai qi rrnoi me tregu tmerret. Ai qi kallzoi gjithë çkishte mund me ba pa u drasht mbi klerikët e pafaj dhe mbi shqiptarët kryengitës komunizmi shqiptar, kjo shtazë e përbindshme. Golgota e tij e mundimshme e kalvarit 26-vjeçar në burgjet komuniste janë rruga prejnga zë fill nji prej vullnesave më të vetvetishme të akuzës, e cila u jetësu me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, i cilësuar edhe si “Arkipelagu Gulag” shqiptar.

Ai shkroi Biblën e kujtesë së shqiptarëve, ndërmëndjen, e cila do të bëhej pishtari dritëlëshues në terrin që kaplonte ndërgjegjen e drobitur dhe çorollepsjen nga ndërkrymjen e hutimi, rrokapjekthin që shoqëria shqiptare kish marrë në udhën pakrye të sendërtimit të ndërgjegjes.

Ky prelat i kishës katolike, ky shërbestar i devotshëm i fjalës së shenjtë dhe dijes së hyjshme, do të ishte i fundit i një dinastie zelltarësh të pashoq, mendjesh e kungimesh të gjithdijshme dhe vullnetmirë që mundi me ngjiz në gjinin e vet urdhni françeskan, shkolla prejnga u ngjizën themelet e vetëdijes tonë kombëtare.

Ai do të mbamendet si zani ma kushtrues i një prej dëshmitarëve më të qenësishëm që kishte mund me shpëtu prej ferrit komunist, dëshmia tolerancës dhe faljes, ngadhnjimit dhe shëmbëllimit të gjithë asaj plejade dijetarësh dhe pendash të pashoqe që qendisën shqipen me shkronja të arta dhe e hyjnizuan atë ndër më të veçmet mendime humaniste që gjalluen.

Atë tmerr që panë në atë botë të zymtë (në “Komedinë Hyjnore”), Dante Alighieri e përshkroi ashtu siç përshkruan udhetari një mjedis të shkretë, të populluar plot me personazhe orëligj. Poeti kaloi përbri hullive e gropave ku ata vuanin, degjoi rrefimet e tyre ngjethëse, për të thurur poemën e vet. Ky ishte këndveshtrimi i Dantes. Sakaq që poshte hullive dhe gropave të ferrit, ndiqnin me sy poetin.

At Zef Pllumi ka qenë një nga ata personazhe, që pati fatin e keq të binte në ato hulli, e që pati fatin e mirë të dilte që andej”, ka kumtuar Ismail Kadare në parathënien e veprës monumentale “Rrno vetem per me tregue”. Etja për të rrëfyer, për të dëshmuar, është një ndër më të fuqishmet në këto mjedise të trishtimit. Ndërkaq etja për të dëgjuar rrefimin duhet të jetë gjithashtu po aq e fuqishme.