Një ditë pas publikimit të projektligjit, Shqiptarja.com zbulon edhe listën me 20 deputetë të cilët kërkojnë të përjashtojnë përfundimisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika shqiptare dhe zgjedhjet parlamentare të 2021, përmes nismës së lustracionit, për dekomunistizimin e politikës dhe shtetit shqiptar. Nisma ligjore e depozituar në Kuvend dhe e përfshirë në axhendën e punimeve, gjithnjë nëse do të miratohet, prek edhe kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetët Spartak Braho, Fatmir Xhafaj etj., të cilët përfshihen në kategoritë ndaluese të projektligjit. Ndërkaq, në listën e 20 deputetëve propozues, përveç Myslim Murrizit, bën pjesë deputetja Rudina Hajdari, e zgjedhur në listat e Partisë Demokratike, por e përjashtuar më pas nga partia nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha, pasi zonja Hajdari refuzoi të zbatonte vendimin politik të PD për të ‘djegur’ mandatin e deputetit vitin e kaluar, në kuadër të aksionit politik të opozitës për të rrëzuar qeverinë.

Deputetët e tjerë propozues janë Halit Valteri, Korab Lita, i cili ka qenë më parë nënkryetar i Bashkisë Kamëz, kur jo e fundit drejtohej nga Xhelal Mziu, deputeti Ralf Gjoni, deputeti Adriatik Alimadhi, i cili u infektua nga koronavirusi, Artur Roshi, Edlira Hyseni, Majlinda Halilaj, Besnik Troplini, Ligoraq Karamelo, Arben Elezi, Krenar Rryçi, Arlind. Çarçani etj. Deputetët thonë në relacionin shpjegues për Kuvendin se projektligj nuk synon përafrimin me legjislacionin e BE-së, nuk ka efekte financiare dhe mbështetet në nenin 81 të Kushtetutës dhe nenin 68 të Rregullores se Kuvendit. Sipas tyre, nisma ligjore është në përputhje dhe zbatim të rezolutës nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së votoi Rezolutën mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste dhe disa rezolutave të Kuvendit të Shqipërisë.

Projektligji figuron në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 16 prill deri në 30 maj. Për shqyrtimin e nismës ligjore është caktuar Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Por, nuk ka një datë se kur Komisioni i Ligjeve do ta marrë në shqyrtim. Nisma ligjore pritet të prodhojë debate të forta pikërisht për shkak të efekteve të saj.