Pesëdhjetë vjet më parë sot, Dita e Tokës u shënua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si një thirrje paqësore për një reformë mjedisore, pas një derdhjeje masive të naftës në brigjet e Kalifornisë. Gjysmë shekulli më vonë, kjo ditë bashkon miliona njerëz në të gjithë globin, duke tërhequr vëmendjen ndaj sfidave të mëdha me të cilat përballet planeti ynë.

Tani më shumë se kurrë, kur po jetojmë në një kohë kur COVID-19 ka “gjunjëzuar” gjysmën e globit, Dita e Tokës ofron një mundësi për të gjithë ne për të reflektuar mbi marrëdhëniet tona me planetin, mes mesazhit më të fuqishëm të mundshëm që natyra mund të na befasojë në çdo moment, me pasoja shkatërruese për pothuajse çdo individ. Është një kohë kur shëndeti i planetit dhe njerëzve nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm.

“Çdo gjë e keqe e ka një të mirë”, është një shprehje popullore dhe ky koronavirusi, parë në një këndvështrim më optimist, (aq sa mund të shihet) ka lejuar që natyra të marrë frymë lirisht. Ndalimi i qarkullimit të makinave, mbyllja e fabrikave ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e nivelit të ndotjes…vendimi i vështirë i njerëzimit kur COVID-19 të largohet është të zgjedhë mes rikthimit të jetës së mëparshme ku njeriu është shndërruar në një “armik për natyrën” apo të bëhet “mik” me të, për të mirën e të dy palëve.