I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer u shpreh i shqetësuar për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë periudhës së pandemisë. Ai bëri thirrje që kufizimet të jenë të përkohshme. Palmeri falënderoi gjithashtu Shqipërinë për riatdhesimin papagesë të shtetasve amerikanë.

Ndërsa Shqipëria diskuton ashpërsimin e masave të Kodit Penal për qytetarët që shkelin masat e karantinës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer u shpreh i shqetësuar për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë periudhës së pandemisë. Duke folur për Zërin e Amerikës, ai iu bëri thirrje qeverive që të veprojnë me kujdes ndërsa marrin vendime që prekin të drejtat e qytetarëve.

Palmer sugjeroi se masat duhet të jenë proporcionale dhe të përkohshme, dhe shpresoi se ato do të hiqen në fund të pandemisë.

Nga ana tjetër ai vlerësoi punën e qeverive për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke nënvizuar këtu ndihmën që ShBA-ja ka dhënë ndër vite për rritjen e kapacitetit institucional. Palmeri thekson se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’ju duhen menjëherë 500 milionë dollarë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor falënderoi Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit që mundësuan riatdhesimin e shtetasve amerikanë pa pagesë. Ne u jemi mirënjohës për partneritetin dhe solidaritetin e treguar, shtoi Palmeri.

Ndërsa për ndihmat që Serbia ka marrë nga Kina dhe Rusia, ai tha se ShBA-ja nuk është në garë me to, ndërsa nënvizoi ndihmën e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian.

I pyetur për dialogun Prishtinë – Beograd, diplomati amerikane tha se bashkëpunimi i tyre është inkurajues. Edhe në këtë kohë pandemia ka copa lajmesh pozitive, shtoi ai.