Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përmes një videomesazhi ka falenderuar të gjithë punonjësit e policisë së shtetit për punën e bërë në këtë situatë të jashtëzakonshme.
Mesazhi i plotë i Ardi Veliut:
Të nderuar kolegë të Policisë së Shtetit,
Në këtë periudhë mjaft të vështirë dhe krejtësisht të pazakontë në kujtesën e brezave tanë, po ju drejtohem me këtë mesazh për t’ju shprehur publikisht falënderimet e mia për punën e mrekullueshme që po bëni, si në përmbushjen e detyrave tuaja funksionale, ashtu edhe në ndihmesën e dhënë ndaj qytetarëve e shtresave në nevojë.
Zgjodha këtë formë mesazhi, pasi nuk kam mënyrë tjetër t’i drejtohem secilit personalisht për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të gjithë organizatës së Policisë, për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë, sa të trazuara, aq edhe të rrezikshme, për të gjithë ju, për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi.
Ndihem krenar që ju po tregoni në këto ditë vendimtare, ato vlera që përbëjnë esencën e Policisë së Shtetit, besueshmërinë, përgjegjshmërinë, shpirtin e grupit, kohezionin.
Më vjen mirë që keni përmbushur e madje tejkaluar jo vetëm pritshmëritë e mia si Drejtor i Përgjithshëm, por ajo që është më e rëndësishme, keni marrë vlerësimin e qytetarëve. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe ngre në një vend nderi, emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.
Ne po përballojmë, sot, qoftë si organizatë policie, qoftë si qytetarë, një rrezik të padukshëm, deri edhe fatal, për jetën njerëzore, gjë që tregon shkallën e vështirësisë që duhet të përballoni. Por pavarësisht sfidave dhe rrezikut të përhershëm që keni përballë, ju ia keni dalë të kryeni me përkushtim çdo detyrë të ngarkuar, si për rendin e sigurinë, ashtu edhe në përkrahjen e shtresave apo individëve në nevojë.
Si Drejtor i Përgjithshëm, ju kërkoj ta përballoni këtë luftë me atë shpirt grupi që keni treguar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë dhe me vetëdijen se po i jepni një shërbim tejet të vyer kombit e atdheut.
Ndiej detyrimin dhe njëherësh kam nderin t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për gjithë sa keni bërë dhe për sa do të bëni, deri në mposhtjen e këtij rreziku që i kanoset të gjithë njerëzimit.
Në mbyllje, dua të shpreh një urim për të gjithë ju, për gjithë qytetarët, që kjo pandemi të zhduket sa më parë, në mënyrë që të kemi mundësi të shohim e t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të themi faleminderit për gjithë sa keni bërë e vijoni të bëni!