Presidenti Meta ka bërë apel që mediat të mos braktisen në këto momente të vështira.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se gazetarët janë në vijën e parë të raportimit, duke shprehur mirënjohje dhe solidaritet në shërbim të informimit të publikut.

Meta: Mediat, gazetarët dhe stafet e tyre mbështetëse, të cilët janë në vijën e parë të raportimit, nuk mund të braktisen në këto momente tepër të vështira! Mirënjohje dhe solidaritet për punën e shkëlqyer heroike dhe atdhetare në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari!

Shoqata e Gazetarëve Europian, seksioni shqiptar, në një letër drejtuar qeverisë dhe diplomatëve të huaj në vend, apelon për krijimin e një pakete lehtësuese e mbështetëse për mediat, si pasojë situatës së krijuar nga koronavirusi.

Në letër, Shoqata e Gazetarëve Europian shkruan se kjo situatë sa vjen e përkeqësohet, për shkak se një numër i konsiderueshëm mediash, kanë filluar me shkurtime në stafet respektive e largime nga puna.