Për 3 muaj kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe ministrat e qeverisë do të marrin 50 % të pagës së tyre për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.

Në këtë vendim përfshihen edhe nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare që do të marrin gjithashtu 50 % të pagës dhe nuk do të përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

Ky përgjysmim page bëhet në situatën kur vendi po përballet me koronavirusin dhe këto para do të përdoren në fondin anti-Covid që shteti ka përcaktuar për të fituar betejën me këtë armik të egër dhe të padukshëm.

Përjashtim nga vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë, për përgjysmimin e pagës bëjnë vetëm nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ajo që vihet re është se paga e deputetëve nuk është prekur dhe nuk përmendet në këtë vendim qeverie. Ndërsa më herët Presidenti Ilir Meta deklaroi vetë se paga e tij, por edhe e zyrtarëve të Presidencës që janë solidarizuar më emergjencën do të shkurtohet sipas planit të bërë publik nga qeveria.