Kuvendi rrëzoi qeverinë e tij, reagon për herë të parë Albin Kurti: Ishte porosia e ambasadorit Grenell

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka bërë reagimin e tij të parë në rrjetet sociale, pasi Kuvendi e rrëzoi qeverinë e tij mbrëmjen e djeshme.

Kurti nis shkrimin e tij duke thënë se “ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme” duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë Vetëvendosjen dhe të ardhmen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rrëzuar me 82 vota pro, shkruan se “ne do të fitojmë” dhe “e ardhmja është e jona”.

“Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, shkruan Kurti mes të tjerave.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, ditën e djeshme përpara mocionit, Kurti e pranoi përplasjen ,e përfaqësuesin e SHBA-ve Grenell, që sipas tij kishte kërkuar heqjen pa kushte të taksës ndaj mallrave serbe, ndërkohë që Kosova kërkonte që të ndalej fushata e lobimit të Serbisë për ç’njohjen e saj nga shtetet e tjera.

Albin Kurti: Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.

1 Comment

  1. Have you ever heard of second life (sl for short). It is basically a game where you can do anything you want. SL is literally my second life (pun intended lol). If you would like to see more you can see these Second Life websites and blogs

Leave a Reply

Your email address will not be published.