Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas shpalosjes së planit financiar nga ana e kryeministrit Edi Rama për fazën “A” siç e quajti ky i fundit për koronavirusin ndërsa e ka përshëndetur atë.

Meta kërkon transparencë nga qeveria dhe të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Presidenti i ka dhënë një përgjigje kryeministrit edhe në lidhje me pagën e Kreut të Shtetit, për të cilën thotë se do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.

Reagimi i plotë

Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri.

Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për tu dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.

Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.

Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID

Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë, duke mundur frikën, me besimin e palëkundur te e ardhmja dhe në Zot.