Ky lehtësim përfshin bankat, institucionet jobankare të kredidhënies si edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe nënkupton se ato nuk do të kenë kosto, në formë provigjionesh, nga ristrukturimi i kredive.

Banka e Shqipërisë ka argumentuar se masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave.

Ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për tre muajt në vijim.

Megjithatë, vendimi i Bankës së Shqipërisë nuk duhet kuptuar aspak si një moratorium i pagesës së kredive për një periudhë tremujore.

Banka Qendrore nuk ka kompetenca ligjore për të pezulluar pagesat e kredive dhe as për t’i detyruar bankat ta bëjën një gjë të tillë.

Kredia është marrëdhënie e rregulluar nga Kodi Civil dhe që mbështetet në një kontratë mes palëve.

Në të gjitha rastet, shtyrja e pagesës së kredive mund të bëhet vetëm me miratimin e huadhënësit.

Kjo do të thotë huamarrësit në sistemin financiar nuk janë të çliruar nga detyrimi për të paguar kreditë dhe duhet të vazhdojnë t bëjnë pagesat rregullisht.

Ata klientë që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga vurisu Covid 19, duhet të kërkojnë nga banka shtyrjen e përkohshme të pagesave.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë i lehtësojnë bankat nga kostot dhe më konkretisht nga fondet rezervë që duhet të llogarisnin në kushte normale; por, sidoqoftë, kjo nuk i detyron automatikisht bankat të pranojnë shtyrjen e pagesave të kredisë nga të gjithë huamarrësit.