Nga Ardian MUHAJ

Po të ishte yt bir
kishe me e mbushë detin me anije
të çdo lloj flamuri.

Kishe dashtë që të gjithë bashkë me miliona me ndërtu urën që ai me shpëtu.

Po të ishte yt bir, do ishe hedhë në det,
e kishe vra peshkatarin që nuk ta dha barkën,

Kishe piskatë me kërku ndihmë,
kishe me trokitë dyerve të qeverive.
Por rri i qetë,
nuk asht yt bir.

Mundesh me fjetë i qetë
E krejt i sigurt.
Nuk asht yt bir.
Asht thjesht fëmija i humanizmit të humbur,
i humanizmit të ndytë, që nuk ban zhurmë.

Nuk asht yt bir.
Flej i qetë,
nuk asht i yti.
Ende jo…

(Sergio GUTTILLA)

Janë këto vargje të poetit që u përhapën para ca vitesh kur u dukën pamjet e fëmijëve sirianë të mbytur në breg të detit. Jashtëzakonisht prekëse. Tejet të sakta e therëse për shumicën e njerëzve. Me përjashtim të atyre që nuk u dhimbsen fëmijët e as refugjatët, por idhujt e tyre politikë mitikë.

Edhe përpara atyre pamjeve të tmerrshme, jashtëzakonisht prekëse nuk guxojnë ta thonë të vërtetën. Nuk guxojnë e madje as nuk duan ta thonë se burimi i krizës siriane asht regjimi kriminal i dinastisë kriminale të asadëve, pushtues të vërtetë të nji vendi që kurrë nuk i deshi dhe kurrë nuk e deshën.

Asht karrigia e pushtetit ma e shtrenjtë në historinë njerëzimit në dekadat e fundit. Ruajtja e karriges së pushtetit të dinastisë kriminale të asadëve, i ka kushtuar Sirisë mijra vjet trashëgimi kulturore të humbur përgjithmonë, miliona të vrarë, dhjetra miliona refugjatë, miliona jetima. Kurse botës, i ka kushtuar triliona dëm ekonomik, e pafund dëm moral e emocional.

E ti, vazhdon të mos e thuash të vërtetën…!