Rezarta Shkurta e ka quajtur një gjyshe të dashur Nexhmije Hoxhën, në mesazhin dedikuar bashkëshortes së ish diktatorit Enver Hoxha, që u nda nga jeta ditën e sotme.

Shkurta është nusja e nipit të Nexhmijes, Ermalit dhe postoi në Instagram një video të vajzës së saj Herës me stërgjyshen.

“Pata fatin të njohë një zonjë “Histori” Një gjyshe e stërgjyshe të dashur. Një grua shekullore për nga mosha, fuqia dhe dija e saj. Një grua luftarake deri ne fund! Kujtimet dhe përshtypjet e para që kam për Nexhmije Hoxhen ishte përpikmërija. Oraret e sakta pa lëvizur sekondi, në zgjimin , vaktet, takimet apo kur ulej te shkruante kujtimet e saj. Për mua aso kohe por edhe sot ishte dhe është e pabesueshme se si një njeri për aq vite me aq përpikmëri të organizonte jetën e saj. Me pas pata fatin te isha fotografja personale.

Ndërkohë që e fotografoja këtë zonje 99 vjeçare, pasi me kish cituar me përpikmëri se si e dëshironte foton, apo korrigjonte në mënyrë të detajuar këndet fotografike, kuptoja se jo rastësisht kjo zonje kishte bërë Histori.

Një nga planet e saj, ishte te realizonte librin e saj te fundit “ Përjetime dhe meditime në jetën time politike” e me pas e qeshur thoshte mund te iki nga kjo botë. Dhe ashtu beri kjo zonje e mahnitshme, e zbatoji planin siç kish bërë gjithë jetën e saj. E forte, e kthjellet me një memorie te jashtëzakonshme, sot nuk u zgjua nga pushimi i pasdites, por la pas dashurinë dhe një trashëgimi historike. U prefsh në paqe Nena Mija! ishte mesazhi i Shkurtës.