Nëse do të kishte “zot shtëpie” asgjë nga këto nuk do të ndodhte sipas zyrtarit të kuqebluve. Ai me shumë shqetësim sheh edhe problematikën te të rinjtë dhe largimet pa kriter, ndërsa ndalet gjerësisht te rasti “Pusi”
U vendos tritol poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë dhe dyshimet e para shkojnë te detyra e tij. Çfarë po ngjet në Shkodër?

Më vjen shumë keq për atë që i ndodhi Suadit, e sidomos për familjen e tij. Uroj ta kalojnë sa më shpejt këtë situatë të pakuptimtë që po ndodh te klubi ynë tash e sa vite. E jo vetëm në ekipin e parë, por edhe tek akademia me trajnerët tanë. Jemi munduar ti zgjidhim privatisht këto situata të paprecedente në botën e sportit. Presionet kanë qenë nga më të ndryshmet te trajnerët, si kërcënime, sharje apo konfrontime fizike. Por deri në këtë pikë, me tritol, nuk kishte shkuar. Ndodh sepse nuk kemi një zot shpie, që të jetë ai përgjegjësi i klubit dhe tu dalë ballë punëve dhe lekëve të fëmijëve e familjes së tij.

Sipas jush, pse ndodh kjo?

Ndodh se edhe ne nuk jemi të bashkuar si klub. Në instanca, bashkëpunimi nuk është aty ku duhet të jetë. Nuk do ishte keq të kemi mbledhje teknike ndërmjet drejtuesve të ekipit të parë me ata të akademisë. Nuk janë “hunj gardhi” por njerëz që kanë fituar trofe me Vllazninë si Paulin Ndoja, Luan Zmijani, Astrit Premçi, Gjon Kola, Brikeno Bizi, Nefail Zhejani, Altin Xhahysa etj. Duhet të jemi një për ekipin e parë. Në fund të fundit ne nuk kemi asgjë në dorë, përveçse me i sjellë të mira ekipit të parë me nxjerrjen e elementit të ri. Gjë që e kemi bërë në mënyrën më spektakolare këto vitet e fundit.

Çfarë ndodhi me Pusin?

Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është se këtë djalë e bënë edhe “qorr” Është çnjerëzore e johumane forma si e trajtuan djalin këta pseudospecialistë. Janë njerëz të zinj në shpirt, pasi i thanë të atit ta çojnë për vizitë te doktori. Një fyerje shumë e madhe për vetë lojtarin dhe familjen e tij. E ja tani ku është… Faleminderit që më dhatë mundësinë që ti uroj suksese. Të mos e ulë kokën e të punojë fort, se puna dhe e mira nuk humbin asnjëherë.

ADMIR URUÇI