Dështimet e qeverisë në vitin që lamë pas në raport me Shkodrën ishin të shumta, e kjo lidhet drejtëpërdrejtë me investimet në këtë qark dhe vemendjen që i duhej kushtuar një prej qendrave me të rëndësishme të zonës së veriut, por jo vetëm. E kur objektivat nuk u arritën, shpresa është që së paku ato të mund të përmbyllen në vitin paardhes, që i bie praktikisht në 2020-en, vit që sapo e kemi nisur.

Qeveria Rama me ministritë e linjës dhe drejtoritë rajonale që ka në varësi në qarkun Shkoder duhet së pari të finalizojë përpara pranverës, një prej arterieve më të rëndësishme turistike, e jo vetëm, siç është rruga Shkoder – Velipojë. Më shumë se 900 metra në zonën e Berdicës vijojnë të jenë të bllokuara e nuk punohet për shkak se banorët nuk janë dëmshpërblyer për tokën e marrë. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në pjesë të tjera të rrugës ishin premtuar ndërhyrje shtesë që nuk janë kryer ende edhe sot. Investimi i dytë që në 6 vite qeverisje të së majtëve nuk pati përparime, por vetëm fjalë, është edhe BY pass-i i Shkodres, një tjetër vepër madhore që është larg përfundimit.

Fati i tij nuk dihet dhe ministria e infratruktures nuk ka marrë mundimin të interesohet, ndërsa në terren firmat që punojnë janë larguar prej muajsh. Projekti i tretë madhor ku ende ka shumë për tu bërë e rrezikon të mos jetë gati për një tjetër sezon turistik është qendra e Shirokës. Punime që zvarriten e janë larg finalizimit dhe hapa të avashtë të implementimit gjysmak të projektit që u prezantua me bujë nga 3D nga qeveria.

Dështim për 2019-en pati edhe rruga drejt Zogajve dhe pika kufitare në Skje, që deputetja e Shkodres, ish zv/kryeministrja Senida Mesi e quajti një nga sukseset më të mëdha, por që si shumë të tjerë mbeti në leter. Pikëpyetje të mëdha janë ngritur edhe për vepra të tjera të trumbetuara me të madhe, si lidhja e Velipojës me Shëngjinin dhe zonën e Ulqinit, apo hyrja e Shkodres, që do të mbesin vetëm në letër, kjo falë edhe vështirësive të mëdha që ka buxheti që prej 26 nëntorit, ku termeti i fuqishëm që goditi vendin hapi plagë të reja e i dha një goditje më të madhe buxhetit të shtetit. Pa frikë që 2019 mund të cilësohet viti i dështimeve të mëdha të qeverisë Rama me Shkodren, e që në 2020-en, trashëgohen si vepra që nuk dihet ku kanë humbur, pasi në terren nuk shihet asnjë njeri të punojë.