Nga Enkel Demi
Ai thotë ta shohim në sy dhe të pranojmë se gabimet e tij nuk janë të qëllimshme. E kërkon shpesh një farë ndjese të tillë, pas të cilës shton shprehjen e mirënjohur: “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk njohim”. Megjithatë, kësaj here foli për infrastrukturën dhe nëntokën e Shpiragut që do na bëjë sheikë nafte, na vuri në dukje se qëllon të gabojë, por përherë e bën këtë i nisur nga qëllimi i mirë, që ky vend të zhvillohet, të lulëzojë të çelë si lule zambaku.
Natyrisht, kur prijësi denjon të bëhet njësh me të sunduarit të përkëdhelet sedra, aq më shumë kur të kërkon ta shohësh në sy. Pra, nuk ka pse të rrish vetëm kokëulur, por i ngre sytë dhe e qëmton. Ai ta jep këtë mundësi dhe ti qoftë dhe për një dekikë nuk rri më sy përmbys. More vesh Lul? Por, mes gjindjes së sunduar nga ky burrë i fuqishëm, i rrallë, i bukur, i mençur, i ditur sa librat e shenjtë, i përunjur sa ata të librave të shenjtë, ka do njerëz të tjerë shumë të rëndomtë që bëjnë gabime, por që nuk ua fal kush.
24 banorë të Thumanës gabuan, sepse autoritet me qëllim të mirë i lanë të kthehen në shtëpitë e tyre pas tërmetit të shtatorit. Ata në nëntor vdiqën, se i zunë shtëpitë brenda, por ama duhet thënë se pushteti kishte vetëm qëllim të mirë, ndaj nuk pse i mban ata të vrarë në ndërgjegje. Ai jo e jo. Sot, është madje i qetë, sepse i strehoi në hotele me pesë yje që thumanorët nuk i shihnin dot as për pushime, ani se do dalin jashtë në 3 janar.
Me qëllim të mirë u vu në Durrës një kryetare, e cila u lumturua që vdiqën aq pak nga tërmeti. Mirë shumë u bë sa bashkinë tani ia dhamë me qëllimin më të mirë të rindërtimit Gjushit dhe Shqipërinë Benit.
Gabime me qëllime të mira kanë qenë fjala vjen drejtorët e Shkodrës të emëruar nga bandat. Këta njerëz të përkorë, veç mirë do i bënin qytetit dhe ia bënë, megjithëse ata të opozitës spiunuan Valdrinin si e kanë bërë udhë për të gjithë.
Gabime me qëllime të mira vjedhjet e zgjedhjeve dhe marrja e gjithë pushteteve. Pse kujt do ia lërë ai? Atyre me qëllime të këqija? Apo jo Lul?
Por, ka dhe gabime më të vogla si fjala vjen një zotëri në rrethinat e Shkodrës gaboi rëndë e nuk pagoi dot dritat. Ai dëshironte, por nuk kishte pare, ndaj ata nuk ia kuptuan qëllimin e mirë dhe ia prenë. Burri, meqë kishte fëmijë e grua që po mërdhinin gaboi sërish dhe u ngjit në shtyllë që të lidhte dritat, që të nxehte pak shtëpinë. Ra në korrent dhe vdiq.
Një tjetër në Lushnje, baba shtëpie ra në burg po për drita, megjithëse kishte vetëm qëllime të mira në jetë. Nuk e mbajti këtë metodë edukuese dhe vrau veten.
Por, këta njerëz nuk kemi si t’i shohim në sy, sepse o nuk janë më në këtë botë dhe kanë shkuar pranë Hyjit, ose janë në burg dhe sytë e Zeusit nuk i rrokin.
Gjithsesi, Ai duhet parë në sy që ç’ke me të apo jo Lul?