Kryeministri Edi Rama mblodhi sot për tetë orë kabinetin qeveritar për të analizuar vitin 2019 dhe masat e marra për pasojat e tërmetit, ku është kërkuar rindërtimi sa më i shpejtë i shtëpive. Gazetarja Klesiana Omeri raporton se mbledhja nisi në orën 09:00 të mëngjesit në Golem dhe përfundoi në orën 17:00 të pasdites, teksa pati disa pushime të vogla në mes. Kreu i qeverisë ka kritikuar ministrat, ndërsa u ka lënë edhe disa porosi me fokus te rindërtimi pas tërmetit tragjik.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ka folur për objektivat e Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin 2020. Pas përfundimit të pjesë së parë të mbledhjes, ministrat e kabinetit qeveritar janë takuar me banorë të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të strehuar në disa nga hotelet në zonën e plazhit. Ndërkohë që nesër në orën 09:00, kryesocialisti do të mbledhë kryesinë e PS-së, ku pritet që të zbulohen detaje nga porositë që ka lënë për grupin, ministrat dhe pushtetin lokal. Në fokus pritet që të jetë edhe situata brenda PS-së.
“Kur sheh punën e bërë dhe më orë të tërë shumë gjëra që janë bërë apo në proces vërtetë mendoj se është një punë goxha e madhe dhe një nga ato që do të shohim si mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi për këto punë, pasi në një pjesë ju nuk keni vëmendje, cdo ditë ka ngjarje dhe lajme” tha ai.