Kryeministri Edi Rama, në përçartjen e tij dhe shtrembërimin e fakteve, gjatë fjalës në Kuvend, për ligjet e censurës, foli edhe për librat e shenjtë. Pasi i quajti gazetarët që protestojnë, “një turmë”, Rama tha se Kurani thotë gjëra të rënda për shpifësit, duke iu rferuar si të tillë gazetarëve që protestojnë jashtë sallës së Kuvendit.
“Pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë, që t’i ndaj edhe me ju. Ato që thotë Kurani për ata që janë atje jashtë [u referohet gazetarëve], janë shume më të rënda se ato që mund të them unë”, u shpreh Rama.
Kjo ishte një deklaratë me karakter hyjnoro-diktatorial, një dimension i ri i liderit suprem, që po na shfaqet dita ditës.
Kryeministri citoi edhe disa ligje të vendeve të BE-së, për shpifjen, por harroi se Shqipëria ka aktualisht një ligj për shpifjen dhe se vendet e BE-së nuk ngrejnë institucione si AMA dhe AKEP për të goditur median por ia lënë vendimet gjykatës.
Gazetarët kanë paralajmëruar rezistencë dhe protestë me çdo mjet demokratik, deri në rrëzimin e këtyre ligjeve censuruese, që e vendosin median online nën presion dhe kontroll nga dy institucione të kapura nga pushteti.