Nëse do të kërkonim një histori suksesi që ndërthur pasionin, përkushtimin shkencor dhe krenarinë kombëtare, emri i Diana Dashi-t do të ishte ndër të parët që do duhej përmendur. E lindur në Shkodër më 22 tetor 1987, Diana është një nga ato vajzat që e ka ngritur emrin e Shqipërisë lart në arenën shkencore dhe profesionale ndërkombëtare – në zemër të industrisë kozmetike italiane, ku prej më shumë se 17 vitesh jeton dhe zhvillon karrierën e saj brilante.

Pas përfundimit të studimeve universitare në Farmaci dhe Farmaci Industriale në Universitetin e Triestes, Diana u pajis me bursë ekselence për të ndjekur edhe doktoraturën në fushën e kimisë, me fokus në zhvillimin e produkteve të reja për ngjyrosjen dhe zbardhjen e flokëve. Ky ishte vetëm hapi i parë në një rrugëtim të mbushur me inovacion, kërkime, formulime të suksesshme dhe publikime që kanë lënë gjurmë në industrinë kozmetike evropiane.

Prej vitit 2016 e deri më sot, ajo ka mbajtur pozicione kyçe si drejtuese e laboratorëve të kërkimit dhe zhvillimit në kompani të mëdha si Deimos srl – Eurochemicals, ku ka udhëhequr qindra projekte inovative në kujdesin për lëkurën, flokët dhe higjienën orale. Aktualisht, është themeluese dhe drejtore e “Visionnaire Cosmetics Lab – Research and Innovation”, një qendër ekselence në Milano ku zhvillohen formulat më të fundit dhe më të sigurta të produkteve kozmetike në Europë.

Por kontributi i saj nuk ndalet aty. Diana është mentore për studentët e diplomuar në programin “Mentors4UniTs”, anëtare e komiteteve shkencore të shoqatave kombëtare dhe ndërkombëtare si SICC dhe IFSCC, si dhe pjesëmarrëse e rregullt në konferenca ndërkombëtare si folëse kryesore. Me mbi 30 publikime shkencore dhe teknike në revista të specializuara si Cosmetic Technology, Diana është një nga emrat më të njohur të kërkimit kozmetik në Itali.

Përtej karrierës, ajo është një personalitet i dashur, e njohur për përkushtimin e saj njerëzor dhe frymën bashkëpunuese. Shumë nga studentët dhe kolegët e saj e përshkruajnë si një figurë frymëzuese, që nuk harron kurrë rrënjët e saj shqiptare edhe pse ka ndërtuar jetën dhe suksesin në një tjetër vend.

Diana Dashi është dëshmia më e bukur se talenti shqiptar, kur shoqërohet me punë të palodhur, mund të arrijë kulmet më të larta. Ajo është krenaria e Shkodrës dhe një ambasadore e denjë e Shqipërisë në shkencën kozmetike botërore.