Pak pasi rrëmbeu kupën e çmimit të parë të Festivalit të Këngës, Arilena Ara iu përgjigj disa pyetjeve kureshtare nga gazetarët, në Post Fest, drejtuar nga Eni Shehu.

Këngëtarja, e cila rrëmbeu çmimin e parë me këngën “Shaj”, duke lënë pas një tjetër pretendente për fitoren, Elvana Gjatën, u pyet nëse kjo e fundit e kishte uruar për fitoren.

Arilena theksoi se në mesin e gjithë asaj rrëmuje që u krijua dhe emocioneve pa fund, ajo nuk kishte takuar as nënën e saj që ndodhej në sallë.

A ta dha dorën Elvana Gjata?

“Unë në fakt nuk kam takuar as nënën time. Elvanën e vlerësoj për punën që ka bërë me muzikë të mirë në Shqipëri. E vlerësoj jashtë mase dhe isha e lumtur për të gjithë kolegët që ishin pjesë e këtij festivali dhe manifestuan një prej festivaleve më të mirë në 58 vite”, u përgjigj Arilena.

Elvana ishte një ndër pretendentet më të mëdha për fitoren. Emri i saj si fituese e festivalit ishte lakuar që para se kënga “Me tana” të prezantohej, ndaj fakti që u rendit e dyta, ishte një surprizë për të gjithë.