Kryebashkiaku aktual i Shkodrës, Bardh Spahia, ka konfirmuar përfshirjen në primaret e PD, me synimin e qartë për të marrë tashmë një mandat të plotë katër vjeçar për të qeverisur kryeqendrën e veriut.

“Do ketë primare dhe në Shkodër, nuk ka sesi të jetë ndryshe. Primaret kanë qenë jo vetëm risi por në rastin e Shkodrës një histori suksesi siç e vërtetoi rezultati i 6 marsit. Patjetër do marr pjesë në procesin e primareve.

E konsideroj detyrim karshi qytetit tim, qytetarëve të mi mundësinë e projektimit të Shkodrës në vendin që i takon jo vetëm në raport me pjesën tjetër të Shqipërisë por dhe në rajon e më gjerë. Kemi sfida përpara, kemi ide të jashtëzakonshme të cilat synojmë ti vëmë në jetë në një mandat të plotë”, ka thënë Bardhi Në një intervistë për Ora News.

Ai e ka testuar njëherë veten në primaret e anëtarësisë për zgjedhjet e pjesshme vendore, më 6 mars 2022 kur u zgjodh kryebashkiak, ndaj thotë se ky proces nuk e tremb dhe pse në votim tashmë janë përfshirë dhe simpatizantët.

“E shoh si dhënie mbështetje akoma më të gjerë, jo vetëm nuk i druhem por e stimuloj me forcë përfshirjen sa më të madhe të anëtarësisë por dhe simpatizantëve të PD në një proces përzgjedhje të kandidaturave të tyre për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale si mënyra më e mirë për të përcjellë dhe mbështetjen popullore. Primaret do të jenë arma jonë e fortë në këto zgjedhje”, vijoi Bardh Spahia. / oranews /