19-vjeçari Erjon Xhenje dyshohet se u vra për hakmarrje, megjithatë deri më tani nuk ka ende një autor të konfirmuar për vrasjen e 19-vjeçarit, i ekzekutuar mbrëmjen e së dielës në një lokal në Shkodër.

Gazetarja Emi Kalaja, në një lidhje direkte me Klan News tha se janë disa pista në të cilat policia po heton, përfshirë edhe një lidhje të mundshme me vrasjen e Ismet Çekores, 58-vjeçarit i ekzekutuar më 2 Shtator në lagjen Kiras.

“Fillimisht u dyshua që ishin lidhjet e viktimës me kushërinjtë e tij që janë në kërkim për një tentativë vrasje, ndaj Taulant Pepës të kryer me datë 21 Shkurt të vitit të kaluar, e po ashtu për sulmin ndaj ish-trajnerit të Vllazninë, Ernest Gjoka. Por tashmë nuk përjashtohet pista që 19-vjeçari të jetë viktimë e rrethit shoqëror apo familjarë, duke qenë se ngjarja është jo më shumë se dy javë nga vrasja e Ismet Çekores dhe kronologjia, dinamika e ngjarjes ka qenë thuajse e njëjtë. Duke qenë se banonin thuajse në të njëjtin bllok, në të njëjtën zonë dyshohet se kushërinjtë e tij të jenë të përfshirë në këtë ngjarje, që siç thashë janë në kërkim”.

“Erjon Xhenje bënte pjesë e të njëjtit rreth miqësor dhe familjar, ndaj dhe mbase indirekt mund të jetë përfshirë. Këto janë hetimet e policisë, pistat në të cilat dyshohet, duke qenë se ngjarja ka ndodhur jo më shumë se dy javë nga vrasja e Ismet Çekores. I riu nuk ka pasur precedentë penalë, ndaj pistat e tjera janë të hedhura poshtë. Nga takimet me të atin, me familjarë të tjerë nuk rezulton që Xhenje të ishte person problematik apo të ketë patur konflikte të hershme apo të çastit. Atentati duket të jetë i kryer nga një dorë mafioze që ngjan me të njëjtën dinamike me Ismet Çekoren”.

Sa i përket punës për të identifikuar autorët e dyshuar të vrasjes së të riut, Kalaja thotë se ndonëse në lokalin ku ndodhi ngjarja ndodhin disa kamera sigurie, misioni i hetuesve nuk duket i lehtë për shkak se autorët kanë qenë të maskuar.

“Autorët kanë qenë të veshur me të zeza e me skafandër në kokë. Megjithatë deri në këto momente kur kanë kaluar 48 orë nga ngjarja duket e vështirë dhe tashmë në Shkodër ngjarjet e tilla kriminale është bërë le të themi rutinë që të mbeten pa autor”.

Ndonëse familja Xhenje rezulton e pa përfshirë në konflikte, babai i të riut mësohet të jetë shprehur se prej 1 javë po kërkonte shtëpi me qira për t’u larguar nga lagja Guerrile ku jetonin, kjo për shkak se sipas tij, po bëhej problematike./tvklan.al