Mjekja shqiptare që jeton e punon në Republikën e San Marino-s në një lidhje direkte me Ilva Now, zbulon disa të reja. Sikundër jemi mësuar që çdo ditë virologë, mjekë, epidemiologë apo studiues sjellin të reja rreth virusit që ka ulur në gjunjë gjithë botën mbarë, mjekja Silva Shametaj thotë se edhe për Republikën e San Marinos që është Republikë e pasur ka mungesa; jo të gjithë mund të bejnë teste.

Ajo thotë se mosha nga 30-70 vjeç rezulton të jetë më e prekura. Por ajo ç’ka do të veçonim nga mjekja shqiptare në San Marino është fakti se duhet të ndërgjegjësohemi për një sjellje të re. Ajo mbështet fort politikat drastike të qeverisë në Shqipëri për të respektuar izolimin, nuk beson tek teoritë popullore të lëngut të shtrydhur të portokallit apo thjesht të vitaminës C. Nëse kjo ndodh, kurohet dhe trajtohet vetëm me terapi, parandalohet vetëm me izolim.

Silva Shametaj Ruli, mjeke drejtuese në departamentin e pneumologjisë geriartrike në Republikën e San Marinos tha:

Pacientët e moshuar janë ata që manifestojnë sëmundjen në gjendjen më të rëndë dhe numri i vdekjeve është më i madh mbi 80 vjeç, por të infektuar në 86 për qind janë moshat 30-65 vjeç. 1-3 për qind është tek fëmijët dhe të moshuarit. Mendohet se mosha mesatare në Itali është më e lartë se në vendet e tjera. Ky mund të jetë një nga faktorët që numri i vdekjeve në Itali është më i madh.

Ka shumë mite për kurën e gripit me lëngje agrumesh, është mit që ia lëmë popullit. Nuk kurohet patologjia me agrume, por me terapi dhe njohjen e patologjisë. Në sistemin imunitar në këtë moment këshillojmë të kemi besim të plotë tek kategoria e mjekëve, të cilët po studiojnë evoluimin e kësaj sëmundjeje. Përpara vitaminës C, është mirë që njerëzit të adaptojnë mentalitetin e tyre me një mënyrë të re të jetuari, të izolimit, që është gjëja më e rëndësishme.

Ka filluar studimi për vaksinimin, por do shumë kohë të dalë dhe nuk e dimë ende të themi se sa mund të zgjasë. Çdo gjë varet sa do ta bëjë të vetëm shoqëria, është përgjegjësi komunitare, duhet të respektojmë izlolimin.