
Nga Shkodra, ku po zhvilloi një takim me sipërmarrësit e vegjël, kryetari i PS Edi Rama tha se duhet të bëhet një marrëveshje mes qeverisë dhe bashkisë për artin dhe kulturën në këtë qytet të konsideruar si ‘djepi i kulturës’. Kryesocialisti tha se arti dhe kultura janë elementë që nxisin më tej turizmin.
“Ne duhet të ecim me një program të përbashkët të qeverisë dhe bashkisë specifikisht për artin e kulturën të përqendruar në Shkodër, pasi arti dhe kultura këtu kanë një traditë dhe pasi e kombinuar me elementë të tjerë që ka zona, mund të bëjnë një punë të madhe për më shumë turizëm, për më shumë biznes.”, tha Rama.
Ai tha se Shkodra tashmë ka me ‘dokumente, vulë e firmë’ një kontribut edhe në kulturën e botës. Rama përmendi edhe projektet e reja që do të nisin në qytet, si Muzeu i ri i Kujtesës, sheshi i Xhamisë së Madhe, Muzeun e Lundrimit pranë Kalasë së Rozafës, si edhe Pinakotekën e Shkodrës. Rama theksoi gjithashtu se po shqyrtojnë gjithashtu edhe mundësinë për të trasnformuar godinës e bashkisë së Shkodrës në një godinë muze.
“Me kryetarin jemi në diskutim për transformimin e goditës së bashkisë në godinë muze. Administrata e bashkisë mund të lëvizë diku tjetër, dhe të rrijë në një mjedis spektakolar që është gjyah që të mos jetë i vizitueshëm për të gjithë. Kam parasysh një hapësirë ku të ketë lëvizje dhe aktivitet të vazhdueshëm, ku mund të qëndrojë zyra përfaqësuese e kryetarit të bashkisë, por kur pjesa tjetër fare mirë t’i përkiste publikut.”, theksoi Rama.
Më tej, Rama theksoi nevojën për investime teksa tha se vlera e pronës është rritur në Shkodër. Rama zbuloi edhe synimet për të investuar në industrinë ushtarake në këtë zonë. Duke u ndalur te biznesi i vogël, Rama tha se ‘ligji’ për taksat zero do të vijojë deri në 2029, dhe tavani s’do të ndryshohet.
“Për ta mbyllur me biznesin e vogël, besoj se në këtë pikë nuk ka asgjë për të shtuar se është i vetmi biznes i vogël në rajon, me taksa zero. Dhe me tavanin 140 mijë euro, me taksa zero. Janë tarifat e bashkisë, por flasim për taksat qendrore. Deri në 2029 do të qëndrojë zero. Po t’i bësh llogaritë janë një shumë e konsiderueshme, rreth 700 mln euro që i janë lënë biznesit të vogël dhe nuk janë marrë në arkën e shtetit.”, tha Rama.