Kryesocialsiti Edi Rama nga Shkodra, bastioni i së djathtës, kërkoi votën edhe të demokratëve, duke iu premtuar jo vetëm pasaportën e Bashkimit Europian, por duke u kujtuar edhe punën që kanë bërë për Shkodrën. Në 2 vite, që kur në krye të saj u vendos për herë të parë një socialist, Benet Beci, Rama thanë se kanë bërë për Shkodrën më shumë se kurrë më parë, në ndryshim nga PD-ja që për vite më radhë ndërtoi vetëm ‘noc rrokun’.

“Ne sot kemi mundësi t’u themi të gjithëve që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje akoma më keq për ata, se në 2 vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, po s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar ‘noc rrokun’ dhe kanë bërë vetëm dëme”, tha kryesocialisti Edi Rama.

Kreu i PS, solli në retrospektivë edhe të kaluarën e rivalit të tij, Sali Berisha. Ai kujtoi detyrat si funksionar partie në kohën e komunizmit të kreut të PD-së, duke bërë analogji me akuzat që i hedhin Ramës këto ditë, si komunist.

“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne”, tha ai.

Në takimin me gratë dhe vajzat, Rama kujtoi ‘luftën’ që ka bërë për të marrë votën nga Shkodra, duke thënë se këneta për vite me radhë i la të zhytyr në gropë.

“Unë s’jam më në pozitën që të vij këtu si shumë herë, gati-gati t’ju ulem në gjunjë e me ju lut shkodranëve: “Aman ma besoni këtë punë që t’ju tregoj çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë.” Sa herë ia besuat kënetës, zhyty më thellë dhe votoni më shumë për kënetën”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama kujtoi takimin e parë në Pallatin e Sportit të Shkodrës, kur kishte vetëm pak vajza e gra, por sot panorama për të ishte ndryshe.

“Sot kjo sallë e mbushur për mua është shumë kuptimplotë. Sepse së bashku kemi arritur që të vendosim një ekuilibër që mungonte plotësisht, mes grave dhe vajzave”, tha Rama.

Mesazhin për burrat demokratë nuk mungoi.

“Unë mendoj se të zgjedhësh kënetën në krahasim me BE-në, je çyruk, je gjysmak, jo në të vërtetë, por politikisht. Ndaj u bëj thirrje që të vijnë këtej e të votojnë PS nëse s’duan të jenë të tillë, ky është test”, theksoi Rama.

Beteja në qarkun e Shkodrës, për zgjedhjet e 11 majit pritet të jetë e fortë, ndërsa sipas sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, PS e Edi Ramës mund të marrë dy mandate më shumë në këtë qark (3-5 mandate në total), duke kërcënuar kështu pozitat e Sali Berishës, i cili sipas shifrave merr 4 deri në 6 mandate. Edhe Adriatik Lapaj e PSD e Tom Doshit, sipas sondazhit mund të marrin deri në 2 mandate secili. Pritet me interes të shihet se si do ndahen 11 mandatet e qarkut të Shkodrës.