
Arkiva “Marubi” u shpall pak ditë më parë nga UNESCO pjesë e “Memory of the World”. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin pikërisht tek kjo arritje në aspektin kulturor gjatë takimit në Shkodër.
“Shkodra ka një kontribut në arkivin e botës. Ka qenë në fije të perit, i mbytur nëpër thasë, një tmerr i madh. E dini që ndërtuam Muzeun, vumë nën kontroll arkivin me laborator e të gjitha. Përtej ndjeshmërisë e vullnetit tonë, në Tiranë dua t’i njoh meritën një djali që do mbetet në histori si njeriu që shpëtoi Arkivin dhe Shkodrën nga një turp i madh. Është realisht përkushtimi, mënyra shumë personale që ai e sheh atë pasuri si pjesë të trupit të vet dhe jam i privilegjuar që kam pasur mundësi ta njoh”, u shpreh kreu i qeverisë, duke shtuar se arti e kultura kanë ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm e biznes.
Më tej rreshtoi një sërë projektesh që do të finalizohen në këtë qytet.
“Muzeu i ri i Kujtesës, një tjetër derë ku jo vetëm të huajt, por edhe ne mund të shohim fizikisht brutalitetin e asaj kohe. Kemi projektin e Sheshit të Xhamisë së Madhe të Shkodrës që shpresojmë ta bëjmë realitet. Do të krijohet një hapësirë e madhe për kulturë, muzalizim në një kënd tjetër historie. Nuk duhet harruar kurrë se si feja ka rrugëtuar deri sot në Shqipëri. Muzeu i Lundrimit, projekt i nisur, në këmbët e Kalasë së Rozafës. Muzeu Etnografik që shpresoj shumë ta çojmë përpara. Edhe sigurisht Pinakotekën. Jemi në diskutim për transformimin e bashkisë, për ta kthyer në muze, admninistrata s’e ka problem të lëvizë diku tjetër sepse është gjynah që ajo mos hapet dhe mos vizitohet nga të gjithë”, tha Rama.