Mesazh i drejtuar Arqidioqezës

Të dashur vëllezër e motra,

me pranimin nga Papa Françesku të dorëheqjes së paraqitur nga Imzot Angelo Massafra për arsye të plotësimit të kufirit të moshës, sipas dispozitave kanonike, po përgatitem të filloj shërbesën time si bari i Arqidioqezës Shkodër-Pult.

Jam i vetëdijshëm se jam pjesë e një historie të pasur dhe të një rrugëtimi të frytshëm të nisur nga paraardhësit e mi. Mendimet e mia shkojnë te Arqipeshkvi i parë i kësaj Kishe, menjëherë pas rënies së regjimit, Imzot Frano Illia, gjithashtu famullitar i Milotit për shumë vite, ashtu si edhe unë, dhe mbi të gjitha te Imzot Angelo Massafra, i cili me vendosmëri dhe mençuri baritore, arriti ta drejtonte këtë Arqidioqezë në vitet e rilindjes së saj, deri më sot.

Që nga momenti i emërimit tim si Arqipeshkëv Koadiutor, më 20 maj 2024, me mendimin se duhej t’i shërbeja kësaj Arqidioqeze, më erdhi menjëherë në mendje episodi biblik i thirrjes së Moisiut, i cili tregohet në librin e Daljes (3,1-5). Moisiu, tashmë në moshë, ndërsa kulloste grigjën e tij, u gjend në malin Horeb, ku pa një kaçubë që ndizej flakë, por që nuk digjej; duke iu afruar asaj, dëgjoi zërin e Zotit që e thërriste nga kaçuba.

Ndërsa meditoj mbi këtë fragment biblik, thirrja e Zotit ripërtërihet në mua dhe, që nga dita e pagëzimit tim, vazhdon të rrezatojë në zemrën time, duke ngjallur habi dhe frikë . Edhe një herë kuptova se Zoti më thërret dhe më kërkon që ta ripërtërij “Po-në” time: të them edhe një herë “ja ku jam”, të lë gjithçka e ta ndjek në një rrugë të re jete dhe shërbimi që Ai vetë do të ma tregojë.

Ndjenja e habisë që ndiej për atë që Zoti, nëpërmjet Kishës, po më kërkon, më jep zemër që t’i besoj vullnetit të tij dhe ta pranoj atë që është e re. Në të njëjtën kohë, nuk e fsheh frikën time përballë kësaj thirrjeje. Jam i vetëdijshëm që po hyj në një Kishë me traditë të lashtë të krishterë, një Kishë të pasur me një visar fetar dhe kulturor që ka mundur ta ruajë e ta mbrojë edhe në kohë tejet të vështira.

Me ardhjen në këtë Arqidioqezë jam i vetëdijshëm se po shkel në një “tokë të shenjtë“, një tokë e larë me gjakun e shumë martirëve, të cilët, për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e për të treguar afërsinë e tyre me njerëzit, nuk ngurruan të japin edhe jetën, si Krishti.

Të dashur, jam i bindur se edhe sot ka shumë njerëz dhe shumë realitete që vazhdojnë ta bekojnë këtë tokë, duke e bërë të “shenjtë”.

Janë besimtarët e shumtë të pranishëm në qytet, në periferi e në male, të cilët, nëpërmjet dëgjimit të Fjalës dhe kremtimit të sakramenteve, kultivojnë arsyet e fesë dhe shpresës, duke vazhduar të bekojnë këtë tokë.

Janë të moshuarit dhe njerëzit e shumtë të vetmuar që luten pandërprerë, janë të sëmurët e pranishëm në çdo shtëpi, pa ndihmën e duhur, ata që ofrojnë vuajtjet e tyre për të mirën e Kishës.

Janë gratë dhe burrat vullnetmirë, të cilët, përmes vullnetarizmit dhe solidaritetit, përpiqen që t’i lehtësojnë vështirësitë e atyre që kanë më shumë nevojë, por edhe të rinjtë e shumtë që janë të përkushtuar për të investuar për të ardhmen në Shqipëri edhe pse duket gjithnjë më e pasigurt.

Janë njerëzit që me angazhimin e tyre social luftojnë për një vend më të mirë, janë familjet që edukojnë fëmijët e tyre me shumë sakrifica.

Janë gjithashtu priftërinjtë, bashkësitë rregultare dhe misionarët, të pranishëm në të gjithë territorin e dioqezës, që çdo ditë ofrojnë shërbimin e tyre në fushën shpirtërore, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe bamirësisë.

Së fundi, janë njerëzit e shumtë të cilët, pavarësisht se u përkasin traditave të ndryshme fetare, kontribuojnë për ta bërë këtë tokë të bukur përmes dialogut, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Janë të gjithë shembuj njerëzish të virtytshëm që lindin mirësi e bukuri e që kundërshtojnë me forcë atë mentalitet korruptiv që, përkundrazi, i shpërfytyron, i shëmton dhe pengon zhvillimin autentik e të qëndrueshëm të vendit.

I vetëdijshëm për kufijtë e mi, unë hyj në këtë tokë me “këmbë të zbathura”, duke u dorëzuar plotësisht në duart e Atij që më thirri e që do të më japë gjithçka që nevojitet për ushtrimin e shërbimit tim në mesin tuaj.

Nëse do të mund ta përmblidhja me një fjalë të vetme dëshirën që mbaj në zemër duke hyrë në këtë Dioqezë të bukur, ajo është “bashkimi“. Kisha është bashkësi dhe e merr këtë thelb nga dashuria trinitare që e formëson dhe e përsos vazhdimisht. Koncili II i Vatikanit thotë se Ipeshkvi është parimi i dukshëm dhe themeli i këtij bashkimi në Kishën vendore që i është besuar (LG 22).

Si pasardhës i Apostujve, jam i dërguar nga Provania hyjnore për ta bërë të pranishëm, mes jush, Jezusin, Kryet, Bariun, Shërbëtorin dhe Dhëndrin: ju, si bashkësi e besimtarëve, me anë të pagëzimit, më jeni dhënë mua si bij që ia kthejnë Atij dashurinë që kanë marrë; Shpirti i Shenjtë, duke na bashkuar në lidhjen e dashurisë reciproke, na bën të gjithëve, edhe pse shumë, një “një trup” të vetëm (1 Kor 12:27).

Në ndryshmërinë e thirrjeve, shërbesave dhe karizmave, të gjithë ne formojmë një familje të vetme të Zotit në një dhurim reciprok: unë me ju për të shprehur shërbesën time ipeshkvore me vërtetësi dhe frytshmëri apostolike, ju me mua për të qenë plotësisht dhe besnikërisht Kisha. Unë vij mes jush si atë për të qenë vëlla me ju dhe t’ju shërbej si bijve.

Për t’u rritur në këtë bashkësi vëllazërore, ndjej dëshirën t’ju takoj të gjithëve dhe të vihem në një qëndrim dëgjimi, në mënyrë që, me përfshirjen e priftërinjve, rregulltarëve, rregulltareve e të laikëve, të fillojmë së bashku për të menduar fazat e rrugëtimit tonë baritor për të qenë Kisha e Krishtit në këtë kohë e në këtë vend.

Dialogu me të gjitha realitetet të tjera jo katolike të pranishme në dioqezë do të jetë gjithashtu i rëndësishëm. Mendoj për besimtarët e Kishës ortodokse dhe të besimeve të tjera të krishtera, për vëllezërit tanë myslimanë dhe për autoritetet civile, të cilët së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë punojnë për të mirën e qytetarëve dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu.

Përballë thirrjes së tij, Moisiu shfaq njëfarë ndjenje papërshtatshmërie për misionin që i është besuar, por është vetë Zoti që e përforcon disa herë, duke ia garantuar praninë e vet. Në ndërhyrjet e tij, Zoti na bën të kuptojmë se autori i misionit kishtar dhe i çdo veprimi baritor është vetë Ai. Protaginisti i Kishës është Shpirti i Shenjtë, ndërsa ne jemi vetëm vegla në duart e tij, të thirrur për t’i besuar fjalëve të tij: “Mos ki frikë, unë do të jem me ty“.

Fillimi i shërbesës sime të re mes jush përkon me hapat e parë të rrugëtimit jubilar. Së bashku do të bëhemi “shtegtarë të shpresës” për ta pritur me mahnitje të përtërirë dashurinë e mëshirshme të Hyjit, për të rifituar gëzimin e të qenit dishepuj misionarë të Jezusit dhe për të planifikuar së bashku rrugëtimin e ardhshëm të Kishës sonë.

Ia besoj Zotit personin tim dhe shërbesën time ipeshkvore në këtë Arqidioqezë, duke kërkuar menjëherë ndërmjetësimin e Marisë tejet të Shenjtë të Këshillit të Mirë dhe të lumëve Martirë Shqiptarë.

Lutuni për mua, për Kishën tonë në Shqipëri dhe për atë që, falë punës së misionarëve, arrin “skajet e botës” (Vap 1,8).

Shkodër më 8 janar 2025
+ Imzot Giovanni Peragine
Arqipeshkëvi juaj