
Në një ceremoni plot respekt dhe emocion, Bashkia Malësi e Madhe nderoi me mirënjohje Gëzim Brahushën, pronarin e televizionit të suksesshëm Blue Sky si dhe qendrës “Art Center Blue Sky,” me motivacion: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbështetjen e artit dhe kulturës në trevat e qarkut Shkodër.”
Aktiviteti mblodhi artistë të njohur, figura publike dhe përfaqësues të institucioneve lokale, të cilët e vlerësuan Gëzim Brahushën si një ndër mbështetësit më të mëdhenj dhe të palodhur të trashëgimisë kulturore dhe artistike të zonës.
Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, z. Tonin Marinaj, gjatë fjalimit të tij tha se ndihej më i lumtur se asnjëherë, pasi vlerëson lart figurën e Gëzim Brahushës, i cili nuk ka rreshtur së mbështeturi dhe promovuari artin e trevave shqipfolëse.
Vetë Gëzim Brahusha falënderoi kryetarin e Bashkisë Malësi e Madhe për këtë vlerësim të lartë, teksa theksoi se ka dhënë kontributin e tij sepse beson fort se mbrojtja nga asimilimi i Shqipërisë ka ardhur përmes pushkës për mbrojtjen e kufijve dhe këngës përmes mbajtjes gjallë të vlerave, zakoneve dhe traditave shqiptare.
Në ceremoni, ishin të pranishëm artistë të mirënjohur, të cilët janë miq dhe bashkëpunëtorë të Gëzim Brahushës prej shumë vitesh. Ata shprehën mirënjohje të thellë për kontributin e tij dhe treguan se Gëzim Brahusha është një sipërmarrës i guximshëm, i cili sfidoi kohën duke nisur me një studio të vogël në një dhomë apartamenti, “Studio Brahusha,” duke krijuar më pas TV Blue Sky e së fundmi Art Center Blue Sky, të cilin ata e vlerësuan si një “kështjellë arti” në vend.
Artistët e mirënjohur deklaruan se Gëzim Brahusha ka qenë dhe mbetet një mbështetës i jashtëzakonshëm, që ka hapur dyert e tij për çdo artist, duke i dhënë hapësirë talentit dhe krijimtarisë.
Në përfundim të ceremonisë, Gëzim Brahusha falënderoi Bashkinë dhe komunitetin e artistëve për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e artit si një urë lidhëse mes brezave dhe një pasuri e pashtershme e kombit shqiptar. Ai premtoi se do të vazhdojë të mbështesë artistët dhe të promovojë kulturën shqiptare, jo vetëm në Malësi, por kudo ku arti ka nevojë për mbështetje, duke theksuar se Art Center Blue Sky mbetet shtëpia e çdo artisti.








