1. A do të ngrihet kulla ROZAFA mbi hotelin me të njëjtin emër?A ka pasur ky objekt vlera të trashëgimisë kulturore?
Për të dhënë një analizë profesionale nevojitet të kesh në dorë projektin, që në fakt nuk e gjen gjëkundi përveçse ca rendera të rastësishme që qarkullojnë në faqet e mediave dhe portaleve. Referuar këtyre imazheve me sa kuptoj hotel Rozafa do qëndrojë, por do ketë shëmbëlltyrën e vet ngjitur, me të njëjtin emër. Pra qyteti do ketë një trini RAZAFAT, që nga kalaja, te hoteli si objekt i realizmit socialist i viteve ’70 e tashmë te ‘Kulla’ që sipas kryeministrit do jetë simboli i shekullit të ri. Me sa kam informacion investitori është pronari i hotel Rozafës dhe me sa duket ka arritur të blejë edhe pronën ngjitur të cilën do ta zhvillojë. Tërë kjo histori kështu e ka zanafillën – pra qyteti orienton zhvillimin e vet qoftë edhe qendrën e tij, varësisht prej kërkesave dhe interesave të investitorëve.
Hotel Rozafa mbetet simbolikë e qytetit, si një krenari e realizmit socialist, pasi në vitet ’70 godina të tilla u ndërtuan në shumë qytete të mëdha shqiptare me funksion të njëjtë. Hotel ROZAFA është përuruar më 29 Prill 1973 dhe projektuar nga ark. Niko Titka, ing. Albert Shani, dhe ing. Aleksandër Vragasi, me një kat përdhe, 1 kat teknik dhe 7 kate hotelerie, i përbërë prej 97 dhomash ose 165 shtretër. Vlera monetare e tij ka qenë rreth 9 milion ALL në atë kohë. Në këtë periudhë ka pasur një plan ndërtimi hotelesh të larta në të gjithë qytetet e Shqipërisë, që premtonin turizëm, të tillë i gjen në Tiranë, Pogradec, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Korça, etj. Për t’i dhënë një karakter pikë referimi në qytet, ndërtoheshin të lartë 5-8 kate, racional në formë e detaje dhe duke i dhënë një identitet përmes simbolit referues të secilit vendbanim, si psh: Enkelana në Pogradec, Çajupi në Gjirokastër, Skampa në Elbasan, apo edhe Rozafa në Shkodër.
Edhe pse arkitektura e realizmit socialist ishte e ftohtë, e përsëritur në volume, në detaje përsëri ruan rregullat urbanistike të kohës, respekton hapësirën, densitetin e intensitetin urban, ngjyrat, materialet etj. E bëra tërë këtë përshkrim për të treguar që çdo kohë ka gjurmën e vet, por të lënë mënyrë të menduar mirë, të planifikuar nga ekspertët e Institutet e kohës edhe pse kemi kritika të shumta. Pas 30 vitesh të rënies së kësaj periudhe, ne nuk kemi vlerësuar e përmirësuar asgjë. Planifikojme ad-hoc, për një ndërtesë në Shkodër, Shëngjin, Kukës, Vlorë apo Tiranë vendos veto Këshilli i Ministrae e Kryeministri, sikur të ishtë pronari i vetëm i këtij vend dhe zeron çdo kompetencë të bashkive. Lëre pastaj nëse do kishim ndonjë përpjekje të ringrinim Institutet e Projektimit/Ndërtimit, që do ishin një e mirë publike që do mbronte interesin e publikes përmes nëj zëri profesionist, të paanshëm dhe do nxirrte nga loja tërë studiot klienteliste qofshin vendase por akoma më shumë të huaja, që i sillen vërdallë qeverisë.
2. A ka një plan urbanistik qyteti i Shkodrës? A ishte i pritshëm ndërtimi i një kulle në qytet? Si qendron ky objekt në raport me siluetën arkitekturore të qytetit, infrastrukturën dhe tipologjinë e zonës ku po ndërtohet ? A është ky projekt i konsultuar me grupet e interesit, vendimmarrësit lokal, ekspertët, qytetarët?
Qyteti i Shkodrës ka një Plan Të Përgjithshëm Vendor të miratuar më 2017 (2015-2030), por për sa kohë kemi Maliqin para Ligjit nuk e shoh të arsyeshme të flas për të. Instrumentet ligjorë marrin forcë kur ato zbatohen: në momentin që ato mbeten letra të lidhura e firmosura, ata nuk kanë vlerë.
Pas viteve ’90 Shqipëria vuajti një krizë të zhvillimit e kontrollit të territorit duke krijuar kështu një kulturë informaliteti të lartë. Mungesa e të dhënave siguron më shumë abuzim dhe keqpërdorim të resurseve qofshin këto humane apo natyrore. Ky parim i ka shoqëruar dhe vazhdon ende të forcohet nga politikanët tanë – edhe objekti në fjalë tregon qartazi arrogancën e pushtetit duke injoruar çdo konsultë apo mendim grupesh interesi, vendimmarësish lokalë, ekspertë apo qytetarë. Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, asgjë nuk ka ndryshuar, por përkundrazi veç përkeqësohet. Qytetarët duan të dëgjohen, prandaj edhe sot do ketë protestë nga shkodranët sepse nuk mund të lejojnë nëpërkëmbjen. Sado që ndjehen të lodhur e drobitur nga qeverisja gati 35-vjeçare, e djathtë në bashki, përsëri gjejnë forca të kundërshtojnë.
3. Rama, por edhe kreu i bashkisë u shprehen se kjo ndërtesë do të përmirësojë rritjen e kërkesës për hoteleri në qytet? A ka në dijeninë tuaj një argument të bazuar në studim apo politika për këtë? A mendon se ky model strukturash akomoduese i shërben turizmit të qytetit?
Turizmi është një sektor shërbimi dhe si i tillë kërkon një planifikim mbi të dhëna. Sikurse e shpreha më lart, këto sisteme nuk i kemi ngritur, sepse për sa kohë qeveritarët merren me biznes dhe jo me hartimin e zbatimin e politikave, do kemi këtë status quo.
Arsyetimi se një qiellgërvishtës 30-katësh do të plotësojë kërkesën në rritje për standard të hotelerisë tregon sesa ad-hoc e joprofesional mbetemi. Për sa kohë nuk kemi të dhëna sa shtretër kemi, sa kërkesë turistike, nuk mund të dimë sa ofertë na duhet.
Nuk e zgjidh turizmin e Shkodrës as Kulla ROZAFA, as egot e investitorëve, as egoja e pushtetatërve të kohës për të lënë gjurmët e shekullit të ri. Qyteti ka nevojë të ruajë identitetin e vet njerëzor dhe linjën e vet horizontale.
(Intervistë me shkrim për Citizen Channel, 22 Korrik 2024)
Planifikuese urbane Eltjana Shkreli